Cakaj: Asnjë ndryshim strategjish në politikën e jashtme
Gent Cakaj ka mbajtur fjalimin e parë si ministër i deleguar, për Europën dhe Punët e Jashtme, në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Jashtme.
Ai tha se do punohet natë e ditë për të çuar para integrimin e vendit në BE.
“Të qenit drejtues i këtij institucioni me kompetenca të deleguara me vëzhgimin e tij është një start i garantuar në grykën e zjarrit të akuzave pa bazë e paragjykimeve. Nën drejtimin e ministrit Bushati trajta amorfe e politikës së jashtme të Shqipërisë është shndërruar në një platformë solide dhe të mirëstrukturuar. Shqipëria sot pa asnjë dyshim qëndron në kuotën më të lartë të përfaqësimit diplomatik dhe nivelin më të konsoliduar. Vendi ynë është bërë prijës i një sërë nismash rajonale. Shqipëria qëndron para një vendimi historik për negociatat. Atdheu ynë Shqipëria është në fazën e pakthyeshme”, deklaroi Cakaj.
Por ai siguroi se nuk do ketë ndryshim strategjish në politikën e jashtme.
“Ky transferim autoriteti institucional nga zoti Bushati të cilin e falënderoj tek unë nëpërmjet kryeministrit Rama të cilin nuk di si ta falënderoj nuk nënkupton asnjë ndryshim strategjish në politikën e jashtme. Ne do të vazhdojmë pa asnjë diskutim të shtyjmë më me vullnet përpara rrugën e integrimit”, tha Cakaj.
Ai theksoi se ne do të mbetemi gjithsesi forcë e patjetërsueshme e paqes dhe stabiliteti, promovuese e frymës së pajtimit dhe bartëse e ideve të zhvillimit dhe dialog me fqinjët pa dallim.
“Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, të intensifikimit të marrëdhënieve bilaterale.
Si edhe kryeministri Rama e ka nënvizuar ne duam të rrisim më tej komunikimin, ndërveprimin me faktorin shqiptar në veçanti. në kohën që po vjen do jemi gjithmonë e më afër tyre sikurse ata gjithherë më afër nesh.
Kjo vëmendje e shtuar në politikën rajonale nuk duhet të lexohet si shenjë e lëshimit në axhendën evropiane”, tha ai.
Fraksion.com