Mblidhet Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Thirrja e kreut të KLP-së për prokurorët
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) po zhvillon mbledhjen e tretë që prej konstituimit të tij.
Në rendin e ditës së kësaj mbledhjeje janë disa propjektvendime si miratimi i strukturës së KLP-së dhe propozimi i buxhetit për vitin 2019.
Kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, u ndal te plotësimi i vendeve vakante në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit, ku deri tani kanë aplikuar vetëm prokurorët Klodian Braho dhe Besnik Muçi.
“U çelën procedurat për plotësimin e 15 vendeve vakante për SPAK, deri tani kemi dy kandidime. U bëj thirrje të gjithë prokurorëve që mos e humbin këtë mundësi që u vjen njëherë në jetë“, u shpreh Ibrahimi.
Më tej, Antoneta Sevdari, anëtare e KLP-së, tha në mbledhje se prokurorët Olsian Çela dhe Besim Hajdarmataj kanë bërë ankim pranë KLP-së për transferimin e tyre pas vendimit të Gjykatës Administrative që e shpalli të paligjshëm urdhrin e Arta Markut.
“Është mjaft e qartë që legjislatori është kujdesur që mos të lejohet lëvizja e prokurorëve pa dëshirën e tyre. Jemi para transferimit pa pëlqim të dy prokurorëve, njëri në Berat e tjetri në Pogradec. Për këtë arsye këto transferime duhet të ndërpriten dhe prokurorët të kthehen në detyrë te Krimet e Rënda”, tha Sevdari.
Transferimi i prokurorëve erdhi pas sherrit tek Krimet e Rënda pasi u përplasën me Donika Prelën./tch
Fraksion.com