AktualitetRajoniTë fundit

Matthew Nimetz: Të zbatohet Marrëveshja e Prespës

Në një deklaratë lëshuar në Nju Jork, Matthew Nimetz, i Dërguari i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së kërkon që të bëhen hapat e tjerë për zbatimin e marrëveshjes së Prespës.

Nimetz thotë në deklaratën e lëshuar të dielën (20.01), në Nju Jork, se ka marrë një kopje të Notës Verbale që qeveria e Maqedonisë i ka dërguar asaj të Greqisë, për ta informuar se ka përfunduar nga ana e saj procedurat e nevojshme kushtetuese për futjen në fuqi të Marrëveshjes së Prespës.

Në deklaratën e Nimetz, thuhet se „pas njoftimit nga Maqedonia për ndryshimet kushtetuese dhe procedurat ligjore për futjen në fuqi të marrëveshjes, pritet nga Greqia që të shqyrtojë dhe procedojë me ratifikimin e marrëveshjes.” “Unë pres përfundimin e procesit të kërkuar nga Marrëveshja”, thotë Nimetz, i cili ka asistuar më 17 qershor 2018, në nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës. Ashtu si edhe në të kaluarën, përfundon ai deklaratën, OKB mbetet e angazhuar të punojë me të dy palët për t’ i dhënë fund diferencave midis tyre.

Matthew Nimetz, diplomat amerikan nga Nju Jorku, ka ndërmjetësuar në bisedimet midis Greqisë dhe Maqedonisë që nga viti 1999, si i Dërguar i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, në atë kohë Kofi Annan. Nimetz, ka qenë i përfshirë në procesin e bisedimeve midis Greqisë dhe Maqedonisë që nga marsi i 1994.

 

Fraksion.com