Nga Monika STAFA

Pak kohë më parë, rrëfejnë se një vizitor në Galerinë Uffizi të Firences, një nga muzetë e artit më të njohur të botës, ndërsa sodiste i cartur Lindjen e Venusit të Botticellit, ikonën e Rilindjes Europiane, befas ndjeu një shtrëngim në zemër.

Ai u shtrua menjëherë në spital dhe e mori veten shpejt, por duket se ky është rasti dukshëm më i fundit i sindromës Stendhal, një gjendje specifike mjekësore, që u ndodh njerëzve të cilët i kap ‘llahtaria’ pas bukurisë. Gjithmonë e kam dyshuar misterin okult që fshihet pas kësaj sindrome.

C’të jetë vallë? Vërtet ka ndonjë magji të zezë që shfaqet gjithëherët në tokën e magjishme të Rilindjes, e që i jep artit të saj një virilitet unik? Ndërsa Botticelli mund të ketë synuar me Lindjen e Venusit se do t’i sillte fat qytetit me këtë vepër magjike, Davidi i Mikelangelos, u akuzua qysh në fillim të viteve 1500, se do të ishte ‘syri i keq’ për të.

Prej kohësh kisha dëgjuar, për dëshmi të patjetërsueshme se sindroma Stendhal është e vërtetë e ajo ndodh vetëm nëse përfshihesh në ndjeshmëritë artistike që Firence edhe sot ruan. Sindroma mori këtë emër në një prej rasteve më të hershme të regjistruara, kur romancieri dhe kritiku francez, Stendal u sëmur pasi ndjeu deri në thellësi të shpirtit të tij, artin që pa këtu. Ishte viti 1817.

Lind pyetja, përse njerëzit nuk pësojnë të tilla simptoma, nga marramendja e lehtë e deri tek shqetësimet e zemrës edhe në galeri të tjera? Shpesh na ndodh, të humbasim mendjen dhe të endemi të cartur në të tilla galeri, sidomos kur jemi në qytete plot art dhe histori europiane. Të coroditesh, sa të vjen të lusësh kohën të kthehesh pas, për të qenë pjesë e asaj të kaluare plot ngjyra e stil baroku.

Megjithatë gojët e liga, thonë se kur Boticeli vizitohet në galeri të tjera, si Galeria Kombëtare e Londrës, nuk sjell të njëjtin shqetësim shëndetsor prej të carturi apo të sëmuri nga zemra, si ndodh në Firence.

Me siguri duhet të jetë përqendrimi absolut i artit sipran, pikërisht në këtë qytet që arrin të të shkaktojë të tilla komplikacione marramendëse. Kush e ka vizituar qytetin e Rilindjes Europiane e di fort mirë se qendra e saj historike është kompakte; një zonë e vogël e mbushur  plot me statuja, punime arti, shatërvane uji, afreske, kupola dhe dyer të gdhendura.

Edhe spitali Santa Maria Nuova, i cili trajton turistët me sindromën Stendhal, daton që nga fillimi i shek. të 15-të. Leonardo da Vinçi, gjeniu tjetër i Rilindjes europiane, pat vendosur atje kufomat, të cilat i studionte për llogari të vet. Për të gjithë të dashuruarit pas artit hyjnor, emocionet e mbërritjes deri në këtë finish, pikërisht atje dhe ku bashkohet aq art i sofistikuar, janë të papërballueshme kur takon të gjithë heronjtë e tu njëherësh.

Po të shpreheshim pak më me shumë cizëm, mund të themi, se kalvari i gjate i këtyre fytyrave të bukura, aq dashurimisht vendosur, nuk bëjnë gjë tjetër vecse shtojnë një vijë më shumë stresi në zemër.

Kjo sëmundje e çuditshme mbi estetikën është padyshim dëshmi e fuqisë së veçantë të artit të Rilindjes. Ky art i mrekullueshëm dhe mënyra se si ai është promovuar në Firence që kur Giorgio Vasari, historian, arkitekt dhe shkrimtar italian, filloi ndërtimin e Uffizi në vitin 1560, për Grand Dukën e Toskanës, Kozimo e I-rë të Medicëve, krijoi thellësisht idenë e ‘artit’ ashtu siç ne duhet ta njohim, si diçka me një joshje të hipnotizueshme.

Familja Medici, tregtarët dhe bankierët e tjerë fiorentinë besonin se arti mund t’i bënte ata të lumtur, të mençur dhe të civilizuar si romakët e lashtë të cilët ata i nderonin. Ndër të tjera, ata mendonin gjithashtu se një pikturë ose statujë mund të ishte një talisman ose një hajmali e bukur për të nxitur pjellorinë seksuale apo të mund të shmangte katastrofën.

Në Bazilikën e Santissima Annunziata për adhuruesit e saj, është zbuluar së fundmi një mesazh‘i mrekullueshëm’. Thuhet se është e pikturuar me ndihmën e një dore të shenjtë. Ndërsa magjia vazhdon ende. Boticeli vdiq në vitin 1510, por arti i tij edhe sot pas 500 vjetësh mund të të habisë mendjen dhe shpirtin. Qyteti i luleve, Firence, ka pasur fatin e madh të përjetojë një konstelacion yjesh në të njëjtën kohë si Boticeli, Leonardo dhe Mikelanxhelo.

Të gjithë të talentuar, të gjithë problematikë! Në të vërtetë, ky është qyteti ku njeriu mund të jetojë me shije aristokratike. Kjo është Firence e njohur dhe po aq e panjohur; qyteti i shenjtorëve, i poetëve dhe artistëve; qyteti i luksit perandorak dhe i shijes së rafinuar; qyteti ku të gjithë ia dinë shijen jetës. Jetës, këtij virtyti hyjnor për njeriun me mend, që duhet t’i japë dita-ditës kuptim.

E nëse ende nuk e keni ndier atë turbullirë emocionesh të pangopura në këtë vend, që mban emrin e Stendalit, me sa duket ju nuk duhet të keni qenë vërtet atje. Kjo mendoj është dhe magjia e ‘zezë’ që tërheq ky vend në cdo kohë, jo cdo njeri të zakonshëm.