SHBA: Zyra e Prokurorit Mueller përgënjeshtron njoftimin e BuzzFeed
Zyra e Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller po e mohon saktësinë e një njoftimi të medias sipas së cilit, Presidenti amerikan Donald Trump e kishte udhëzuar avokatin e tij të gënjente Kongresin.
Organizata mediatike BuzzFeed, citonte dy zyrtarë federalë të paidentifikuar të rendit në njofitmin e saj, sipas të cilit zoti Trump kishte urdhëruar ish-avokatin e tij, Michael Cohen, që ta gënjente Kongresin për përpjekjet për të ndërtuar një Kullë Trump në Moskë.
Megjithatë zëdhënësi i Prokurorit të Posaçëm, Peter Carr tha të premten se “përshkrimi që i ka bërë BuzzFeed disa deklaratave nga zyra e Prokurit të Posaçëm dhe karakterizimi i dokumentave dhe dëshmive të siguruara nga kjo zyrë, lidhur me dëshminë e Michael Cohenit, nuk janë të sakta”.
Deklarata ishte një hap i pazakontë nga ana e zyrës së Prokurorit të Posaçëm, për të hedhur poshtë një njoftim mediash.
Pak pas komenteve nga zyra e zotit Mueller, Ben Smith, kryeredaktor i BuzzFeed, tha në një deklaratë se ai i qëndronte raportimit të organizatës së tij dhe i bëri thirrje “Prokurorit të Posaçëm që të bënte të qartë se çfarë po përgënjeshtronte”.
Pas njoftimit të BuzzFeed, dy krerë demokratë të komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve thanë se do ta hetojnë çështjen.
Kreu i Komisionit të Zbulimit, Adam Schiff tha të premten se akuzat janë “ndër më seriozet deri sot”. Ai shtoi se “do të bëjmë ç’është e nevojshme për të zbuluar”, nëse ajo që thuhet në artikull është e vërtetë.
Kreu i Komisionit Juridik, Jerrold Nadler tha se të udhëzosh dikë që punon për ty të gënjejë Kongresin, do të ishte një krim federal dhe tha se puna e komisionit të tij “është që të zbulohet e vërteta”.
Kongresmeni Joaquin Castro nga Teksasi tha në Twitter, se nëse njoftimi i BuzzFeed është i vërtetë, zoti Trump “duhet të jape dorëheqjen ose t’i nënshtrohet procesit të shkarkimit”.
Avokati i zotit Trump, Rudy Giuliani tha të premten në një deklaratë se “çdo sugjerim, nga çdo burim, se presidenti ka udhëzuar Michael Cohenin të gënjerë, është kategorikisht i gënjeshtërt”. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders tha se artikulli ishte qesharak.
BuzzFeed njoftoi se zoti Cohen i kishte thënë Prokurorit të Posaçëm, Mueller se presidenti i kishte thënë të gënjente Kongresin lidhur me kontaktet e zotit Trump me Rusinë.
Organizata e lajmeve në internet, tha se dy zyrtarët federalë janë “të përfshirë në hetimin lidhur me këtë çështje”.
BuzzFeed shkruan se mësoi rreth përpjekjeve të zotit Trump që zoti Cohen të gënjente Kongresin “përmes intervistave me dëshmitarë të shumtë nga organizata Trump, email-e të brendshme të kompanisë, mesazheve telefonike si dhe dokumenteve të tjera”.
Presidenti Trump shkruante të premten në Twitter se Cohen po “gënjente për të ulur dënimin e tij”./VOA
Fraksion.com