AktualitetTë fundit

Arrestohen drejtuesit e dy farmacive: Miliona lekë rimbursime barna, për të vdekurit

Dy persona kanë përfunduar në prangat e policisë në lidhje me mashtrimin e rimbursimit të barnave.

Prokurori i Ervin Karanxhaka urdhëruar ndalimin e shtetasve Petrit Skura si dhe të shtetasit Gazmend Aliaj, të dyshuar për dy vepra penale, të “mashtrimit kompjuterik” dhe “mashtrimi në subvencione”.

“Ngjarja ka të bëjë me dyshimin e krijuar se farmacitë me vlerën e rimbursimit më të madh për vitet e fundit, siç janë B…, M… dhe G… & L…, nëpërmjet mashtrimit kanë përfituar fonde dhe subvencione nga shteti, duke përfituar nga fakti se kanë kontrate me FSDKSH-në, për rimbursimin e ilaçeve që ata shesin”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, ekzistojnë shkaqe të bazuara për të menduar se ka rrezik largimi për shtetasin Petrit Skura, duke bërë të domosdoshëm urdhërimin e ndalimit të këtij personi.

Hetimet për rastin kanë nisur më 12 qershor të vitit të shkuar, ku Prokuroria ka arritur të zbulojë rimbursimin e recetave për rreth 400 persona për një periudhë kohore 3 muaj dhe këto shuma janë përfituar në shkelje të ligjit nga farmacitë e mësipërme.

“Nga këqyrja rezultoi gjithashtu se për një periudhë kohore 5 muaj janë pajisur me recetë në mënyrë të përsëritur 2 deri në 5 herë, shtetas të cilët kanë qenë të vdekur”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Sipas deklaratës, nga këqyrja e regjistrit të Gjendjeve Civile ka rezultuar të rimbursuara 79 receta për 35 shtetas, të cilët janë “pajisur me ilaçe disa herë duke qenë të vdekur. Këto receta janë ekzekutuar nga farmacitë e mësipërme. Vlera e rimbursimit varion deri në 30 000 lekë të reja për recetë”.

Prokuroria sqaron se në këtë skemë mashtrimi janë përfshirë edhe mjekë të ndryshëm (14 mjekë), të cilët kanë lëshuar receta nga 2 deri në 27 herë, për pacientë që janë pajisur me ilaçe ose në ditën e vdekjes ose një ditë më pas.

Prokuroria thotë se nga vëzhgimet, rezulton se shtetasi Gazmend Aliaj është personi direkt që merret në lidhje me veprimtarinë e farmacive pavarësisht se Farmacia është në emër të bashkëshortes së tij.

 

Fraksion.com