Theresa May e papërkulur
Ajo humbi votimin për marrëveshjen e Brexit, por fitoi votëbesimin të mërkurën. Kryeministrja britanike është ndeshur me disa stuhira politike këto muaj, megjithatë Theresa May tregohet e papërkulur.
Kreu i opozitës, Jeremy Corbyn e kishte refuzuar një takim me kryeministren për sa kohë që ajo nuk e përjashton një Brexit të pakontrolluar. Theresa May tha se shpreh keqardhjen për këtë, por dera e saj mbetet e hapur. Përveç kësaj May shtoi, se deputetët duhet të lenë pas interesat e tyre për të kaluar këtë fazë të vështirë. Deri të hënën May duhet të paraqesë një plan për daljen nga BE.
Kryeministrja britanike e fitoi votëbesimin në parlament me vetëm 19 vota shumicë. Ajo u shpreh se është e “mrekulluar” për këtë dhe bëri të ditur se këtë përgjegjësi “nuk do ta marrë me lehtësi”. Jeremy Corbyn që kishte kërkuar votëbesimin, u shpreh më pas se May duhet “të përjashtojë njëherë e përgjithmonë perspektivën katastrofale të një Brexiti pa marrëveshje”. Vetëm pas kësaj do të ketë bisedime me opozitën, tha ai.
Fraksion.com