AktualitetPolitikëTë fundit

Presidenti rus Putin në Serbi

Presidenti rus, Vladimir Putin, arriti të enjten në Beograd në vizitën e tij të katërt që nga viti 2001.

Ai u prit në aeroportin e Beogradit nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Në një konferencë shtypi në Beograd, presidenti rus akuzoi autoritetet në Kosovë për marrjen e një serie hapash provokuese, siç u shpreh ai, duke përfshirë vendimin për ngritjen e ushtrisë.

Ky veprim, tha ai, i ka rritur tensionet me Serbinë dhe mund të destabilizojë rajonin. Ai tha se vendimi i Kosovës për të ngritur një ushtri ishte i paligjshëm.

Putin i bëri komentet pas bisedimeve me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

Para se të nisej për në Serbi, presidenti rus akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe perëndimin për siç tha, destabilizimin e Ballkanit përmes politikave ekspansioniste të NATO-s.

Serbia e cila synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ruan lidhjet e ngushta me Rusinë, aleaten e saj sllave dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve kundër Rusisë lidhur me Ukrainën dhe është zotuar të qëndrojë jashtë NATO-s.

Presidentit rus, nuk i sheh me sy të mirë proceset integruese të vendeve të Ballkanit, posaçërisht zgjerimin e NATO-s, ndërhyrja e së cilës në vitin 1999, u dha fund mizorive të forcave serbe në Kosovë.

Një pjesë e madhe e serbëve vlerësojnë qëndrimin kundërshtues të Moskës ndaj pavarësisë së Kosovës, që u shpall njëmbëdhjetë vjet më parë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Megjithatë, Beogradi është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.

Presidenti serb, tha se një pjesë e mirë e bisedimeve me presidentin rus do t’i kushtohet pikërisht çështjes së Kosovës.

Një nga pikat e diskutimeve pritet të jetë edhe një qendër e emergjencave që Rusia menaxhon në qytetin e Nishit në Serbinë jugore.

Disa grupe perëndimore dhe analistë ushtarakë e shohin si një bazë ushtarake të kamufluar që Kremlini e ka ngritur për të mbikëqyrur interesat amerikane në Ballkan.

Qendra ruse që u hap fillimisht në vitin 2012, gjendet relativisht pranë forcës paqeruajtëse prej 4 mijë trupash në Kosovë. Pjesë e forcave ndërkombëtare në Kosovë janë edhe 600 ushtarë amerikanë.

Moska kërkon që personelit të saj t’i jepet imunitet diplomatik, ndërsa mohon çfarëdo veprimtarie të saj përveç trajtimit të emergjencave.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com