AktualitetTë fundit

Moti i keq, MM letër bashkive problematike: Na sillni emrat e kompanive që mirëmbajnë rrugët!

Ministria e Mbrojtjes, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, nisur nga situata e krijuar nga rreshjet e borës ditët e fundit, u ka dërguar një letër të hapur bashkive në 6 prefektura të vendit, ku janë shfaqur më shumë probleme nga moti i keq. Konkretisht letra, u është dërguar bashkive të Shkodrës, Kukësit, Pukës, Dibrës, Korçës dhe Gjirokastrës.

“Siç jeni në dijeni, situatat e kohëve të fundit të krijuara nga reshjet e borës dhe të shiut, në një pjesë të madhe të territorit të vendit, krijuan problematika të shumta, të tilla si, bllokimin e disa segmenteve të akseve rrugore kombëtare, bllokimin e shumë segmenteve të rrugëve rurale, ndërprerjen e komunikimit dhe të veprimtarisë njerëzore, si dhe ndërprerjen e procesit mësimor dhe të furnizimit me energji elektrike”, thuhet në letrën që mban firmën e drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile.

Për shkak se problematikat kryesore të shkaktuara nga reshjet e borës dhe të shiut lidhen me veprimtarinë e bashkisë, Ministria e Mbrojtjes në letrën e saj u kërkon bashkive dërgimin e listës së plotë të kompanive të kontraktuara nga ana e vetë bashkive për mirëmbajtjen e akseve rrugore, si edhe të kapaciteve njerëzore dhe teknike të tyre, të parashikuara në kontratë për mirëmbajtjen e secilit prej segmenteve rrugore në territorin e bashkive përkatëse.

Po ashtu në këtë letër u kërkohet bashkive edhe lista e detajuar, e kapaciteve faktike njerëzore dhe teknike (lloji i automjeteve, targat e secilit automjet) të përdorura në ditët e reshjeve të borës dhe të shiut të fillimit të janarit 2019, nga firmat kontraktore për mirëmbajtjen e secilit nga segmentet rrugore dhe performancën e treguar nga secili prej tyre.

Pak ditë më parë, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë inspektimit të situatës së rrugëve në qarkun e Dibrës nënvizoi shqetësimin që në disa qarqe të vendit, kompanitë e kontraktuara nga bashkitë nuk përmbushin detyrimine tyre për mirëmbajtjen e rrugëve rurale, të cilat bllokohen nga bora duke krijuar vështirësi për komunitetin në këto zona.

 

Fraksion.com