Ikja e “trurit”: Të rinjtë s’duan të kthehen; Ja sa shqiptarë studiojnë jashtë…
Një nga problemet kryesore me të cilat do të përballet Shqipëria në vitet në vijim pritet të jetë mungesa e “trurit” dhe jo atij fizik, por profesionistëve të shkolluar dhe integruar në tregun e punës në vend.
Një studim i fundit, i realizuar nga Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale, e që ka analizuar trendet migratore të popullatës shqiptare, është zbuluar se Shqipëria ka një rritje të “frikshme” të emigrimit potencial dhe jashtë po largohet pjesa më e arsimuar e banorëve.
Në total sipas drejtuesit të qendrës që ka kryer studimin, Ilir Gëdeshi janë rreth 1.5 milionë shqiptarë që kanë emigruar jashtë vendit, të cilët përfshihen në grup-moshën 18-40 vjeç, kryesisht të arsimuar dhe të aftë për punë.
“Kjo anketë tregon që migrimi do të vazhdojë dhe ka një rigjallërim të migrimit shqiptar, i cili aktualisht është rreth 1.5 milionë shqiptarë, që jetojnë jashtë, dhe duke e vendosur Shqipërinë në radhët e para të shteteve të të gjithë botës. Emigrimi real nga Shqipëria është nga më të lartët aktualisht në botë. Por tendencat e emigrimit potencial tregojnë që ky emigrim do të vazhdojë edhe në perspektivën afatmesme”, ka thënë Gërdeshi për Zërin e Amerikës.
Sipas studiuesit, pas vitit 2000 shqiptarët “dëshironin të emigronin në vendet fqinje, Itali dhe Greqi, ndërsa aktualisht vendi i parë i emgrimit potencial është Gjermania dhe vende përreth saj në Europën perëndimore”.
“Vendi i dytë janë SHBA dhe pas tyre, vijnë Italia dhe Greqia. Këto dy të fundit vazhdojnë të mbizotërojnë për shkak të rrjeteve sociale që kanë emigrantët potencialë shqiptarë në këto vende. Por dalja e Gjermanisë si vend i parë tregon që orientimi i rinisë shqiptare sot e tutje do të jetë Gjermania. Kjo lidhet edhe me disa faktorë të tjerë: duke qenë që dëshirojnë të emigrojnë në Gjermani, dëshirojnë të emigrojnë më të kualifikuarit më të arsimuarit. Për shembull, tendenca e vitit 2007 ishte të emigronin personat e pakualifikuar dhe persona të paarsimuar. Aktualisht dëshirojnë më shumë të emigrojnë persona që kanë arsimin e mesëm dhe profesional dhe sidomos ata që kanë arsim universitar. Pra, ikën pjesa më e kualifikuar dhe më e arsimuar e vendit. Sa i takon moshës, më parë ka qenë mosha 20-22 vjeçare që dëshironin të migronin, sot dëshirojnë të migrojnë ata të moshës 27-30 vjeç, ku arrin kulmin dëshira për megrim”, ka shpjeguar Gërdeshi.
Në studim gjithashtu vërehet se “Shqipëria ka rreth 25 mijë studentë që studiojnë jashtë” dhe mbi 95% e tyre nuk duan të kthehen më në atdhe.
“Nuk janë fëmijë emigrantësh, por kanë ikur nga Shqipëria. Ky është vendi i parë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Për shembull, Serbia me rreth 8 milionë banorë, që ka popullsinë më të madhe në rajon, me të ardhura për frymë më të larta se Shqipëria, ka rreth 15 mijë studentë jashtë. Ajo që është më negative në këtë rast nuk është pse shqiptarët shkojnë për të studiuar, por më negativja është se 94 për qind e tyre, sipas një ankete që ne bëmë me studentët shqiptarë, nuk dëshirojnë të kthehen në afat të shkurtër ose të mesme në Shqipëri. Kjo do të thotë që nga Shqipëria dalin çdo vit dhjetëra milionë euro për të financuar studimin e të rinjve shqiptarë, dhe kjo nuk kthehet në atdhe me kapitalin human nesër dhe do të thotë se ka një varfërim të vendit nga pikëpamja humane dhe financiare”, ka sqaruar studiuesi i Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale.
Fraksion.com