Ekspertët: Investimet po vijnë nga Lindja; Perëndimorët i largon infrastruktura e burokracia
Që nga rënia e komunizmit, pjesa dërrmuese e investimeve të huaja në Shqipëri kanë ardhur nga vendet e Bashkimit Europian. Por, vitet e fundit, gjeografia e kapitalit të huaj po ndryshon.
“Vendet tradicionale ose investuesit tradicionalë, si Gjermania, Franca dhe Italia po zhvendosen, duke iua lënë vendin investimeve që vijnë nga lindja”, tha Ardian Haçkaj.
Pas krizës së vitit 2008, kompanitë perëndimore janë bërë më të kujdesshme në planet e investimeve, duke shmangur vendet që konsiderohen me risk, si Shqipëria.
“Kjo shpjegon tërheqjen e kompanive tradicionale perëndimore. Nga ana tjetër, investitorët e Lindjes e kanë më të thjeshtë për t’u futur në tregje që kanë risk”, tha më tej Haçkaj.
Tërheqja e investimeve të reja nga Perëndimi është bërë më e vështirë, por jo e pamundur. Sipas Haçkajt, Shqipëria duhet të përmirësojë faktorët që e bëjnë vend me risk.
Në radhë të parë është reputacioni negativ, së dyti infrastruktura, e së treti burokracia administrative. Por, veç përmirësimit të klimës së investimeve, qeveria mund të përdorë edhe nxitës fiskalë.
“Serbia jep 3.000-5.000 euro për çdo punëtor që punësohet në vitin 2019 nga kompanitë e huaja. Ne japim një miliard euro për PPP-të. Si është më mirë, të subvencionosh vendet e punës apo dy-tre oligarkë?”, deklaroi Haçkaj.
Investimet e huaja kanë qenë një nga burimet kryesore të rritjes ekonomike në Shqipëri. Por, ekspertët paralajmërojnë se përfundimi i TAP-it dhe Kaskadës së Devollit do të krijojë një hendek të madh në ekonomi, të cilin Shqipëria nuk po arrin ta zëvendësojë./TCH
Fraksion.com