AktualitetBota+Të fundit

SHBA: Mbyllja e pjesshme e qeverisë prek ekonominë share LAJME Mbyllja e pjesshme e qeverisë prek ekonominë

Ekonomia amerikane po merr një goditje më të madhe se sa pritej nga mbyllja e pjesshme e qeverisë, tha Shtëpia e Bardhë të martën, pasi demokratët e kongresit hodhën poshtë ftesën e Presidentit Donald Trump për të diskutuar mbi çështjen.

Mbyllja hyri të martën në ditën e saj të 25 dhe as Presidenti Trump e as udhëheqësit demokratë në Kongres nuk shfaqën shenja tërheqjeje për çështjen që shërbeu si shkak – financimi i murit që premtoi të ndërtonte zoti Trump përgjatë kufirit me Meksikën.

Presidenti Trump ftoi të martën një grup dypartiak anëtarësh të Kongresit për të diskutuar rreth bllokimit, por Shtëpia e Bardhë tha se demokratët e refuzuan ftesën.

Presidenti këmbëngul se Kongresi nuk pranon të japë 5.7 miliardë dollarë për murin, ndërsa rreth 800.000 punonjës federalë kanë mbetur pa u paguar gjatë mbylljes së pjesshme të qeverisë.

“Është koha që demokratët të vijnë në tryezë dhe të bëjnë një marrëveshje,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders.

Udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve thanë se nuk u kanë thënë anëtarëve të bojkotojnë drekën e zotit Trump, por i kanë shtyrë ata të peshojnë nëse bisedimet do të jenë vërtet produktive apo do të shërbejnë thjesht si spektakël për presidentin.

“Ne jemi të bashkuar,” tha udhëheqësi i shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Steny Hoyer.

Mbyllja e tanishme e qeverisë është më e gjata në historinë e SHBA dhe efektet e saj kanë filluar të shfaqen në të gjithë vendin.

Në disa aeroporte, radhët janë zgjatur, pasi disa prej punonjësve të sigurisë nuk arrijnë të paraqiten në punë. Gjithashtu janë reduktuar inspektimet e ushqimeve dhe të drogës ndërsa fermerët, të goditur nga mosmarrëveshjet e fundit tregtare, nuk kanë qenë në gjendje të marrin ndihma federale.

Zoti Trump kandidoi për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2016 me premtimin për të ndërtuar një mur për të ndalur imigracionin e paligjshëm dhe trafikun e drogës.

Kohët e fundit, ai po shqyrtonte mundësinë e shpalljes së një emergjencë kombëtare për të anashkaluar Kongresin në çështjen e financimit të murit, por këtë javë u tërhoq nga kjo ide, e cila mund të sillte me vete një sfidë gjyqësore.

Demokratët, të cilët morën Dhomën e Përfaqësuesve këtë muaj, e refuzojnë murin kufitar, por mbështesin masat e tjera të sigurisë kufitare.

Ata gjithashtu kanë ngulur këmbë që zoti Trump dhe republikanët të rihapin qeverinë para se të zhvillojnë negociata.

Demokratët e Dhomës kanë miratuar një numër projektligjesh për të financuar afërsisht një të katërtën e operacioneve federale që janë mbyllur, por udhëheqësi i shumicës së Senatit, republikani Mitch McConnell, ka thënë se Senati nuk do të marrë në shqyrtim projektligje që Presidenti Trump nuk do t’i nënshkruante./VOA

 

Fraksion.com