AktualitetKosovaTë fundit

Haradinaj: Marrëdhëniet me SHBA nuk preken nga tarifat

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha të mërkurën se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara nuk rrezikohen për shkak të tarifave, të cilat sipas tij janë vendosur kundër Serbisë dhe Rusisë.

Duke komentuar kërkesat amerikane për pezullimin e tarifave ndaj mallrave serbe në mënyrë që t’u hapet rrugë bisedimeve me Serbinë, ai ritheksoi qëndrimin se tarifat janë të lidhura me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Sot e heqim nëse ka marrëveshje për njohje, pra jo në shkurt por mundemi të mos e heqim asnjëherë derisa Serbia nuk është e gatshme të na njohë. Kjo nuk ka të bëjë me Amerikën, ka të bëjë me Rusinë dhe Serbinë. Ne jemi në kufi me Serbinë e Rusinë. Fytyra e Serbisë e cila është e shihni nesër me (Vladimir) Putinin në Beograd, fytyra jonë e dini cila është, pra mos u mërzitni për këto”,tha kryeministri Haradinaj.

E vendosur me 21 nëntor të vitit që lamë pas, tarifa nxiti reagimin e Bashkimit Evropian por edhe thirrjet e Shteteve të Bashkuara për heqjen e saj, ndërsa Beogradi kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me anulimin e tarifave.

Serbia vazhdon të llogarisë në mbështetjen e Rusisë për Kosovën, çështje kjo që pritet të jetë temë e diskutimeve të enjten kur presidenti rus, Vladimir Putin do të qëndrojë në Serbi.

Serbia një aleate tradicionale e Rusisë, synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ecën në vijën e ngushtë ndërmjet Rusisë dhe perëndimit dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Bashkimi Evropian, i cili në pranverë do të ketë zgjedhje të brendshme, është vënë në përpjekje për përshpejtuar procesin e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është edhe kusht për integrimin e tyre.

Autoritetet në Kosovë thonë se janë të gatshme për një marrëveshje normalizimi me Serbinë e cila do të sillte paqe në rajon. Tash për tash është e paqartë se kur mund të pritet vazhdimi i bisedimeve që kanë ngecur për shkak të tensioneve ndërmjet të dyja vendeve.

 

Fraksion.com