Deputeti Sadri Abazi paraqiti kursin e shoferave për Universitet
Disa deputetë kanë gjetur marifete të tjera për t’i shtuar vlerat CV-së së tyre në fushën e arsimit. Ata bëjnë kurse të rëndomta disajavore ose mujore jashtë shtetit dhe më pas i fusin në CV sikur janë të diplomuar.
Rasti më tipik i kësaj hileje është deputeti socialist Sadri Abazi. Në CV e tij shkruhet që ai është diplomuar nga Akademia IRU, në Gjenevë, në vitin 2002. Por nëse futesh në faqen online të kësaj akademie, aty shikon se në fakt programet e saj janë kurse trajnimi për shoferët e kamionëve. IRU në fakt është shkurtim për “Interneishënëll Roud Junion”. Që do të thotë Unioni Ndërkombëtar i Rrugëve.
Ky union paska edhe atë degë të vetën që quhet akademi dhe që shkruhet “Akademia IRU.
Dora Trajnuese e Unionit Ndërkombëtar të Rrrugëve.
Rritje e shkëlqyer profesionele për shoferët.
Akademia IRU, trajnon me mijëra shoferë dhe operatorë transporti çdo vit për të pasur një siguri më të madhe në rrugë dhe efincensë të qëndrueshme”.
Kaq mjafton për të kuptuar se Sadri Abazi ka bërë vetëm një kurs shoferash në Gjenevë, dhe jo shkollë të lartë.
Ilir Ndraxhi është një deputet tjetër i Partisë Socialiste që në CV e tij deklaron se 10 vitet e para të punës, ai ka qenë një shofer i thjeshtë. Më pas është bërë biznesmen. Ai shkruan se ka arsim të lartë si inxhinier pyjesh, por mesa duket këtë shkollë e ka bërë vetëm pasi i ka hyrë rrugës së politikës. Sepse një person me diplomë në inxhinieri nuk do të punonte 10 vite si shofer i parkut të mallrave.
Një arsim që lë për të dëshiruar ka pasur edhe politikanja e nivelit më të lartë në sektorin e arsimit. Ish-ministrja Lindita Nikolla. Ajo që mbajti këtë ministri për 6 vjet me radhë. Në CV-në e saj ajo shkruan se është diplomuar për matematikë në vitin 1989, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. Por nga një vërtetim që u bë publik gjatë protestës studentore në dhjetorin e kaluar, u zbulua se znj. Nikolla e ka mbaruar faktultetin me mesataren 5.8. Një rezultat shumë i ulët për kreun e arsimit të një vendi. Por, gjithashtu në CV ajo shkruan se është diplomuar në nivelin master në Albanian University në vitin 2010, në Administrim Publik drejtimi Pushtet Ekzekutiv. Arsyen se përse ish-ministrja Nikolla e ka mbaruar masterin me kaq vonesë dhe në këtë universitet kuptohet nëse shohim deklarimin e saj të pasurisë.
Kur ajo deklaron të ardhurat e bashkëshortit, vihet re që bashkëshorti i saj ka punuar si pedagog pranë këtij Universiteti, ku ajo ka mbaruar masterin.
Fraksion.com