AktualitetKosovaTë fundit

Përfundon marrja në pyetje e ish komandantit të UÇK-së në Hagë

Për dy ditë me radhë në Hagë u mor në pyetje ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rrustem Mustafa. Derisa të hënën intervista para zyrtarëve të prokurorisë së posaçme zgjati 7 orë, të martën ai u mor në pyetje për gati dhjetë orë.

“Sot përfundoi intervista me mua pranë Dhomës së Specializuar në Hagë. Unë isha i ftuar si dëshmitar i dyshuar. Pyetjet kanë qeneë shumë serioze dhe ne kemi qenë shumë seriozë në përgjigje. UÇK-ja më ka mbrojtur mua dhe unë nuk kam pasur nevojë ta mbroj UÇK-në”, tha në përfundim të intervistës zoti Mustafa.

I njohur me emrin e luftës si komandant Remi, zoti Mustafa që drejtonte Zonën Operative të Llapit, një rajon në veri të Prishtinës gjatë luftës në Kosovë, është i pari që u paraqit në prokurorinë e posaçme për krime lufte në Hagë, për t’u marrë në pyetje me çka edhe filloi puna konkrete e këtij institucioni.
Të mërkurën ndërkaq, pritet të fillojë marrja në pyetje e Sami Lushtakut, ish komandant i Zonës Operative të Drenicës gjatë luftës në Kosovë dhe intervista do të zhvillohen edhe më një numër ish pjesëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare.

Në mesin e atyre që kanë marrë ftesë është edhe Remzi Shala, i njohur me emrin e luftës si “Molla e kuqe”, i cili u ka thënë medieve lokale se nuk do të paraqitet në intervistë meqë nuk i beson Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, që me emrat dhomat e specializuara, do të veprojë në Hagë, nën ligjet e Kosovës dhe me prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Në korrik të vitit 2014, ish prokurori i Posaçëm i Bashkimit Evropian, që ishte ngarkuar me hetimin e këtyre pretendimeve, Clint Ëilliamson, tha se nuk kishte prova për trafikim organesh por kishte prova për përfshirje të zyrtarëve të lartë të UÇK-së në krime kundër njerëzimit

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s, njëzet vjet më parë.

Të ftuarit thanë se janë të gatshëm të përballen me drejtësinë dhe të bindur se përballja do të dëshmojë pastërtinë e luftës së shqiptarëve të Kosovës. Një bindje të tillë e ritheksuan edhe udhëheqësit më të lartë të Kosovës, të cilët takuan të ftuarit para se të niseshin për në Hagë.

Më 22 dhjetor të vitit 2017, një grup deputetësh hodhi nismën për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme, duke sfiduar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët e saj kryesor që paralajmëruan për pasoja të rënda nëse ndodhë shfuqizimi i saj.

Në fillim të muajit shkurt të vitit 2018, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës të gjetur nën trysni politike, thanë se “gjykata nuk do të shfuqizohet”

Prokuroria e posaçme nuk ka komentuar deri tash intervistimin e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Zyrtarët e saj nuk pranuan të flasin as për cilësinë në të cilën janë dërguar ftesat për marrje në pyetje, nëse të ftuarit janë dëshmitarë apo të dyshuar, në gjë që ka nxitur po ashtu reagime të organizatave për të drejtat e njeriut në Kosovë por edhe ekspertëve të drejtësisë.

Po ashtu as emrat e atyre që janë ftuar nuk janë konfirmuar nga prokuroria e cila tash për tash vepron përkohësisht në një ndërtese në Hagë në pritje të rinovimit të ndërtesës së Gjykatës së Posaçme, e cila do të jenë në ish selinë e policisë Evropiane, EUROPOL.

 

Fraksion.com