Kosovë: A do të pezullohen taksat ndaj Serbisë?
Kryeministri Ramush Haradinaj thotë se Qeveria e Kosovës do t’a pezullonte përkohësisht taksën, vetëm pas garancës ndërkombëtare, se do të ulemi për ta nënshkruar marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.
Kryeministri Haradinaj në një postim të tij në rrjetin social thotë se ai është i bindur “për mundësinë e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese me Serbinë, që rezulton me njohje”.
Haradinaj kushtëzon heqjen e taksave
Televizioni “Al Jazeera Balkans”, njoftoi ndërkohë se bazuar në burime nga Departamenti Amerikan i Shtetit, kryeministrit të Kosovës, i është refuzuar viza amerikane – për shkak të taksës së vendosur ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Sipas këtyre burimeve, Haradinaj nuk do të mund të marrë pjesë në një konferencë për Ballkanin, e cila mbahet në fillim të muajit shkurt në SHBA. Sipas “Al Jazeera Ballkans”, mospjesëmarrjen e Haradinajt në këtë konferencë e ka konfirmuar edhe njëri nga organizatorët.
“Nuk kemi pranuar përgjigje zyrtare”
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, deklaroi për mediet lokale se zyra e kryeministrit nuk ka pranuar përgjigje zyrtare nga Ambasada e SHBA-së, në lidhje me kërkesën për pajisje me vizë nga ana e kryeministrit Ramush Haradinaj. Ajo tha se “arsye e vetme për udhëtimin e Haradinajt në SHBA, do të ishte pjesëmarrja në organizimin e Lutjes së Mëngjesit”.
Sidoqoftë, në Prishtinë përpjekja për tu koordinuar dhe unifikuar skena politike kosovare në një grup të unitetit për dialog me Serbinë po vazhdon.
“Kemi thënë se do të ketë transparencë dhe llogaridhënie para qytetarëve dhe institucioneve. Ky është takimi i parë që është zhvilluar pas takimit të parë të delegacionit shtetëror në Bruksel. Po e them në mënyrë shumë të qartë, ka vetëm një vendimmarrje ajo është Kosova e pavarur dhe sovrane, Kosova e pacenueshme territorialisht, që nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia dhe sigurimin e ulëses në OKB”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli. Ai akuzoi LDK “për papërgjegjësi politike”, për shkak që nuk po i bashkohet grupit negociator për dialog me Serbinë. Ndërsa kreu i LDK-së, Isa Mustafa, pyeti publikisht udhëheqësit e institucioneve të Kosovës të shpjegojnë se “çfarë po ndodhë në veriun e vendit?
Akuzat e Veselit dhe LDK
“Si Kryetar i LDK-së dhe qytetar i Kosovës pyes institucionet përgjegjëse të vendit, Presidentin, Kuvendin, Qeverinë, institucionet e drejtësisë: a po ushtrohet sovraniteti shtetëror në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, në një sipërfaqe prej 1005 km katror, (jo hektar) të cilat përbëjnë 10% të territorit të Kosovës? Në fund të nëntorit kryetarët e këtyre komunave deklaruan se dorëhiqen dhe e ndërprejnë komunikimin me Prishtinën (organet qendrore)”, shkroi në profilin e tij Isa Mustafa, duke shfaqur frikën sipas tij që “konservimi i gjendjes në veri jashtë komunikimit me institucione qendrore, është akt i paramenduar për pazare territoriale me Serbinë, për çfarë LDK nuk pajtohet dhe nuk do të pajtohet me asnjë kusht”.
“Nëse do të jemi të bashkuar, ne do ta përmbyllim me sukses edhe këtë kapitull të shtetndërtimit. Si President i Republikës së Kosovës, vlerësoj lart përpjekjet e kryeparlamentarit Veseli për koordinimin ndërinstitucional dhe atë ndërmjet grupeve parlamentare për forcimin e unitetit politik. Pavarësisht shkaqeve të mundshme, ikja nga përgjegjësia politike dhe bojkotimi i këtij procesi është në kundërshtim me interesin tonë shtetëror dhe atë të partnerëve tanë strategjikë”, shkroi në profilin e tij Presidenti Hashim Thaçi.
Prandaj sipas tij, “askush nuk duhet të hezitojë që të marrë përgjegjësi në këtë fazë përfundimtare të dialogut, i cili pritet të përfundojë me një marrëveshje paqësore dhe gjithëpërfshirëse me Serbinë”. “´Kjo do t’ia sigurojë njohjen Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB, NATO dhe BE”, pohon Presidenti Thaçi.
Fraksion.com