Bushati: E drejtë e Ramës për të ndryshuar drejtimin e MEPJ
Ministri në largim, Ditmir Bushati ka falënderuar kryeministrin Edi Rama dhe PS për mundësinë që i kanë dhënë sipas tij për të drejtuar ministrinë e jashtme në këto vite.
Përmes një deklarate, Bushati tha se Rama ka marrë vendimin për të ndryshuar drejtimin politik të MEPJ dhe kjo është e drejtë e tij.
“Në lidhje me pyetjen që mu bë ndoshta sot është dita e duhur për mua që dhe unë të shpreh opinionin tim duke qenë se shumë është folur dhe ka mbuluar të gjithë këtë periudhë. Mund të them që e kam konsideruar që ditën e parë punën time në këtë institucion nder dhe privilegj që më është dhënë për të përfaqësuar vendin tim në arenën ndërkombëtar dhe për këtë unë dhe sot dua të falënderoj kryeministrin Rama dhe forcën politike të cilën përfaqësoj, për besimin që më kanë dhënë. Në të njëjtën kohë natyrisht dua të falënderoj të gjithë ekipin e shërbimit të jashtëm, qoftë stafin diplomatik dhe teknik, që nga mesi i shtatorit e deri këto orë të fundit të miat në MEPJ që më kanë shoqëruar e mbështetur për të arritur disa objektiva të rëndësishme në funksion të jetësimit të prioriteteve të politikës së jashtme të Shqipërisë.
Besoj se është e qartë për këdo që pozicioni i ministrit ka dy dimensione: ka dimensionin kushtetues dhe dimensionin politik. Përsa i përket dimensionit politik, kryeministri e ka marrë tashmë vendimin e tij, ia ka bërë të ditur opinionit publik për të ndryshuar drejtimin politik të MEPJ. Është e drejtë dhe përgjegjësi ekskluzive e kryeministrit për të përzgjedhur ekipin e tij politik me të cilin ai do të përmbushë objektivat e programit edhe në këtë fushë.
Thënë kjo, në kuptimin kushtetues, apeli im sot është shumë i thjeshtë: për të ezauruar një orë e më parë procedurën kushtetuese që jetëson jo vetëm ndryshimin e lidershipit politik në MEPJ, por që do t’i krijonte njëkohësisht mundësi vendit për t’u përfaqësuar në mënyrën të denjë dhe efeciente në arenën ndërkombëtare, aq më tepër ku siç e patë dhe gjatë konferencës së shtypit me kolegun tim italian vendi është përballë sfidave të cilat nuk i ka njohur të paktën më parë.
Dua në të njëjtën kohë meqenëse m’u dha kjo mundësi t’u falënderoj të gjithëve ju, kolegëve të medias, të cilët keni ndjekur shumë konferenca shtypi, çaste të lumtura dhe kritike për Shqipërinë, për këtë institucion. Një pjesë prej jush kemi shkëmbyer dhe replika mbase dhe pakënaqësi për mënyrën se si mund të jenë analizuar lajmet që kanë pasur lidhje me këtë institucion po realisht dua tu falënderoj nga zemra të gjithëve për mundësinë që na keni dhënë për të çuar në shtëpitë e çdo shqiptari dhe që keni kontribuar jo pak do të thoja, për një kuptueshmëri më të madhe të të gjitha aksioneve dhe lëvizjeve tona në politikën e jashtme. Ju falënderoj të gjithëve.”- tha Bushati.
Fraksion.com