ARRSH: Qarkullim me zinxhirë nga veriu në juglindje (Foto)
Në përmbledhjen e përditshme nga Autoriteti Rrugor Shqiptar mbi situatën e akset kombëtare të vendit, vihet re se ka ende shumë akse të papastruara nga bora apo ngricat, duke e vështirësuar qarkullimin e mjeteve në kushte normale, ndaj rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.
Në rajonin verior, ku gjatë natës ka pasur temperatura të ulëta, është bërë shpërndarja e kripës në akset ku ka prani ngricash nga ana e kontraktorëe.
Lëvizja rekomandohet me zinxhirë, ose pjesërisht, në segmentet Domaj-Draje Rec, Ura e Cerenecit-Steblevë, Kuben-Vasije, Peshkopi- Qafë Drajë, Peshkopi-Ushtelencë, Ura Cerenecit-Steblevë, Qafë Bualli-Krastë, Trebisht-Doganë. Ndërkohë, në akset e tjera qarkullimi është normal.
Sa i përket rajonit qendror, edhe këtu kanë mbizotëruar temperaturat e ulëta gjatë natës. Kontraktorët thuhet të kenë punuar për shpërndarjen e kripës në orët e para të mëngjesit, në segmentet me prani ngricash.
Në aksin nga Trau i Dajtit-Teleferik-Vilat Qeveritare rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak të ngricave; sikurse edhe në Qafë Priskë-Shëngjergj, Qafë Priskë-Qafë Mollë, Qafë Mollë-Shëngjergj, si dhe në Lunik-Steblevë, veçanërisht në pjesën fundore të tij. Aksi Krujë-Sarisalltik rekomandohet pjesërisht me zinxhirë. Në akset e tjera, qarkullimi është normal.
Zbresim më në jug, me situatën në rajonin jugor. Këtej ka pasur reshje bore gjatë natës në zonat e larta, që kanë kapur trashësinë 5-15 cm. Temperaturat kanë qenë të ulëta, sidomos në Qarkun e Korçës.
Qarkullimi rekomandohet me zinxhirë në Korçë-Boboshticë, Dardhë dhe Qafë Qarri-Ersekë. Në Qarkun e Gjirokastrës, qarkullimi është normal dhe pa probleme. Në Qarkun e Vlorës, qarkullimi i mjeteve bëhet normalisht, pa zinxhirë.
ARRSH rekomandon gjithashtu që përdoruesit e rrugës të jenë gjithnjë vigjilentë, të lëvizin me shpejtësi të reduktuar dhe të përdorin gomat e dimrit, sikurse edhe sinjalistikën rrugore.
Fraksion.com