Tenderi, PD denoncon: Rama ka paracaktuar fituesin
Partia Demokratike denoncon se projekti për “Unazën e re”, edhe pas ritenderimit për shkak të mashtrimit që u kap me fituesin e parë, është i paracaktuar.
Deputetja demokrate Lealba Pelinku, nga Departamenti i Antikorrupsionit në PD, ka thënë ndër të tjera në një dalje për mediet, se Rama ka paracaktuar klientin e PPP-ve në infrastrukturë, “Gjoka Konstruksion”, si kompaninë fituese të ritenderimit tek “Unaza e re”.
Ajo tha se “Projekti korruptiv 20 milionë euro për kilometër duhet anuluar i gjithi. Prokuroria të hetojë dhe të çojë para drejtësisë ata që po vjedhin me tendera fasadë”.
Fjala e plotë:
“Edi Rama është peng i pazareve me oligarkët e ndërtimit, prandaj nuk tërhiqet nga projekti kriminal i ‘Unazës së re’.
Sot po ndodh teatri i radhës me projektin korruptiv 40 milionë euro. Është hapur gjoja tenderi për segmentin e “Shqiponjës”, ku Edi Rama u kap me presh në duar duke vjedhur me kompani fantazëm, por e vërteta është se sërish fituesi është i paracaktuar.
Kompania “Gjoka Konstruksion” është paracaktuar të shpallet fituese e një tenderi, të manipuluar përmes kritereve shumë specifike dhe të pakapshme nga shumica dërrmuese e kompanive të ndërtimit.
Askush nuk ka më dyshim se Edi Rama është ai që ka urdhëruar këtë projekt të zhvatjes së shqiptarëve, 20 milionë euro për 2.3 kilometra.
Nuk shpjegohet ndryshe këmbëngulja e tij për të çuar 18 milionë euro një herë te kompania fantazëm, e regjistruar në parajsë fiskale, e tani te kompania që është ndër përfituesit e parë të megaprojektit hajdut “Shqipëria 1 miliard euro”, nëpërmjet të cilit pastrohen paratë e korrupsionit.
Një nga faktet se tenderi është fasadë dhe fituesi i paracaktuar ka të bëjë me kriteret e qepura për klientin e Ramës në PPP-të në infrasktrukturë. Ato jo vetëm nuk kanë ndryshuar, por një prej kritereve, i vetmi që ka ndryshuar nga tenderi i parë, është bërë që i preferuari i Edi Ramës të futet në tender, por sërish duke përjashtuar shumë kompani të tjera.
Partia Demokratike e ka shprehur qartë qëndrimin e saj: projekti korruptiv 20 milionë euro për kilometër duhet anuluar i gjithi. Prokuroria duhet të hetojë dhe të çojë para drejtësisë të gjithë ata që herën e parë tentuan të vjedhin me mashtrim dhe kësaj here po tentojnë të vjedhin sërish me tender të paracaktuar.”
Fraksion.com