AktualitetRajoniTë fundit

Greqi: Krizë në qeveri; Ikën ministri i Mbrojtjes, shkak Maqedonia

Kryeministri grek, Alexis Tsipras po bën thirrje për një votëbesim për qeverinë e tij, pasi aleati i tij doli të dielën nga koalicioni qeveritar, në shenjë proteste ndaj marrëveshjes së Prespës me Maqedoninë për çështjen e emrit.

Me largimin e tij nga koalicioni Panos Kammenos e ka lënë kryeministrin pa një shumicë parlamentare dhe shton gjasat për zgjedhje të parakohëshme. Ai dha dorëheqjen nga posti i Ministrit të Mbrojtjes dha tha se po i tërhiqte edhe gjashtë ministra të tjerë.

Maqedonia miratoi të premten ndryshime kushtetuese që ia ndryshojnë emrin vendit në Maqedonia e Veriut, sipas marrëveshjes me Greqinë, që do të bënte të mundur hyrjen e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian. Por marrëveshja duhet të ratifikohet nga Greqia që të mund të hyjë në fuqi.

Partia Syriza e zotit Tsipras ka 145 vende në parlamentin me 300 vende.

Partia a zotit Kammenos, Grekët e Pavarur me shtatë ligjvënësit e saj, i bënte të mundur shumicën, partisë së kryeministrit.

Kammenos i hoqi ligjvënësit nga koalicioni, duke thënë se çdo marrëveshje me fqinjin verior të Greqisë, që ka fjalën “Maqedoni” në emër, është e papranueshme, pasi “është e lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me qytetërimin dhe kulturën greke”.

Nëse zoti Tsipras e humb votëbesimin, Greqia do të mbajë zgjedhje të parakohëshme para tetorit kur ishin planifikuar.

Sipas anketave, Syriza është 8-12 pikë prapa partisë konservatore Demokracia e Re.

Kryetari i Parlamentit ka propozuar 16 janarin si datë për votëbesimin.

 

Fraksion.com