E martë, 3 Dhjetor, 2024
Latest:
AktualitetPolitikëTë fundit

Bushati anulon axhendën jashtë

Përplasja institucionale mes Presidentit dhe Kryeministrit, me në fokus kreun e diplomacisë shqiptare, ka prodhuar pasojat e para në politikën e jashtme të vendit, duke filluar nga marrëdhëniet me Gjermaninë, vendi me më shumë peshë në Europë.

Mësohet se  ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, e ka anuluar vizitën e tij në Gjermani, të programuar për javën e ardhshme. Bushati duhej të takonte homologun e tij në Berlin, ku të martën më 15 janar do të pritej në vizitë zyrtare nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Mass.

Zhvillimet e fundit kanë detyruar Ditmir Bushatin të anulojë axhendën e jashtme, pjesë e së cilës ishin edhe dy takime në Bruksel më 10 janar, gjithashtu të anuluara: ai me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini, si dhe takimi me eurokomisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn, asnjëri prej të cilëve nuk u zhvillua.

Ditmir Bushati gjendet në kushtet ku Kryeministri ka zgjedhur ta zëvendësojë atë, ndërsa Presidenti refuzon të dekretojë largimin e tij, një imponim ky që e ka kthyer “de facto” kabinetin në qeverinë Rama-Meta.

Burime nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i thanë Top Channel-it se pavarësisht kësaj situate dhe anulimit të axhendës së jashtme, mbeten të konfirmuara dy takime të tjera të ministrit Bushati me homologët e tij në Tiranë. Bëhet fjalë për vizitat në Shqipëri të ministrit italian, Enzo Moavero Milanesi, programuar për të mërkurën më 16 janar, si dhe atë të ministrit të Jashtëm holandez, Stef Blok, në axhendë të enjten.

Burimet shpjegojnë se për të ruajtur seriozitetin e shtetit, Ditmir Bushati nuk ka kërkuar anulimin e këtyre dy vizitave, për sa kohë ata janë ftuar nga autoritetet shqiptare, si dhe nga ana tjetër të dy ministrat e Jashtëm kanë konfirmuar vullnetin për t’u takuar me ministrin Bushati, pavarësisht zhvillimeve të fundit.

 

Fraksion.com