Meta: Rama s’ka fuqi t’i bëjë shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë
Përplasja Rama-Meta ka arritur në një tjetër nivel pas refuzimit të Presidentit për dekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm.
Teksa kryeministri Rama e ka cilësuar si një vendim të turpshëm dhe anti-kushtetues refuzimin e Metës për dekretimin e Cakajt si ministër të jashtëm, Presidneti ka reaguar mëngjesin e së premtes me një status tepër të ashpër ndaj kryeministrit.
Edhe pse nuk e përmend me emër, mesazhi i Presidentit Meta, qartazi i referohet Ramës, duke shkruar se ai nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe se nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
Përmes një postimi në facebook presidenti Meta e quajti gabim fatal kërcënimin që i është bërë nga personi i cili ka kërcënuar siç thotë kreu i shtetit edhe komisar Zaganin, mediat, pronarët e mediave, profesorë e nënkomisarë.
“Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para!🇦🇱”, shkruan Meta në faqen e tij në Facebook.
Fraksion.com