Marrëdhënia me Albi Nakon, Klaudia Pepa: Një raport të qetë
Klaudia Pepa kete here flet pa rezerva për mashkullin ideal dhe për faktin se nëse ka “trokitur” tek ajo dashuria me D-të madhe!
Pa anashkaluar, edhe ish-bashkëshortin Albi Nako dhe historinë e tyre që duket se nuk funksionoi e për të cilën Klaudia ka shpjegimet e saj. Për të gjitha këto etapa të jetës, asaj profesionale dhe asaj private, balerina e famshme shqiptare ka zgjedhur të flasë hapur dhe pa doreza! Duke na zbuluar sakaq edhe disa plane për të ardhmen e saj në Itali dhe projektet e pritshme atje!
Klaudia, si u përfshive në eksperiencën e prezantimit të edicionit të 20-të, “Kënga Magjike”?
Ishte një ftese nga ana e Arditit për t’u bërë pjesë e edicionit të 20-të të “Kanga Magjike”. Padyshim që reagimi im ishte super pozitiv pasi “Kënga Magjike” ka qenë gjithmonë një eksperiencë e bukur për mua si balerinë, ta imagjinoja edhe si prezantuese atëherë isha dyfish e lumtur.
Çfarë shije të la kjo skenë magjike?
Do të thoja ishte një eksperiencë krejt ndryshe dhe një përgjegjësi e madhe të bëja dy profesione, edhe si balerinë edhe si prezantuese. Dy fusha të ndryshme në të njëjtën kohë, por gjithçka shkoi më së miri dhe kjo është më e rëndësishmja.
Pse mendon se të zgjodhën pikërisht ty për të qenë në krahë të kastës së prezantuesve të tjerë, Ardit Gjebrea dhe Bora Zemani?
Këtë nuk e di…Ndoshta ideja që sapo pata një eksperiencë si prezantuese në Itali, me siguri Arditit i shkoi në mendje…Dhe fakti për të sjellë një trup baleti italiane e bënte edhe më interesante ardhjen time për këtë ngjarje.
Ky ishte rikthimi juaj i parë, i mirëfilltë prej profesionisteje, por jo në balet, por si prezantuese. E shikoni si sfidë këtë angazhim në të ardhmen?
Po patjetër! Gjithmonë i marrë si sfida eksperienat, në radhë të parë për veten time, të bëj një figurë të mirë është gjithmonë mendimi i parë që më vjen në mendje.
Ti tashmë je një artiste e afirmuar në tregun italian dhe një figurë shumë e dashur për publikun atje. Nëse ktheni akrepat e orës mbrapsht dhe kujtoni, sa e vështirë ishte rruga drejt famës dhe suksesit?
Shumë sakrifica dhe rrugë e vështirë. Shumë prova të superuara, edhe dështime që më kanë mësuar si të bëj hapa përpara. Ndjek instinktin tim, por jam edhe selektive. Kam kuptuar që nuk është bukur të thuash “Po” për të gjitha. Peshoj gjithmonë zgjedhjet e mia. Të ndjekësh ëndrrat nuk mjafton. Mundësitë arrijnë kur di të thuash edhe “Jo”. Të gjithë kemi qëllime, por nuk duhet të djegim fazat e rrugëtimit tonë.
Si ka ndryshuar jeta jote pas famës?
Ka ndryshuar për mirë ,sigurisht. Rezultatet e punës janë gjithmonë pozitive.
Vetëm dëshira nuk mjafton për t’u bërë një balerinë apo artiste e zonja. Cila është këshilla që do i jepnit sot të rinjve që duan të ecin në gjurmët e tua?
Unë përdor gjithmonë tre fjalët e mia magjike: “Punë, vullnet dhe me këmbë në tokë”!
Cila është ambicia juaj më e madhe sa i takon karrierës?
Ambicja ime është të gjej lumturinë time në çdo gjë që bëj, në çdo eksperiencë, në raport, në familje, në shoqëri. Një femër në karrierë pa lumturinë principale sa vlen?
Gjëja o investimi më i mirë që keni bërë për veten deri sot?
Studimi dhe puna.
Çdo të thotë të jesh balerinë?
Një derdhje e përgjithshme e shpirtit, e energjisë së brendshme. E disiplinuar nga një gjuhë e përsosur që zhvillon dhe shpreh ndjenjat më të vogla.
Kur filluat të kuptonit se kjo është gjithçka doni në jetë?
Kur prindërit e mi më çonin për dore të shihja shfaqje të ndryshme për fëmijë. Aty kuptoja që skena më pëlqente, aty shihja disa personazhe që më frymëzonin, aty mbaja mendjen si t’ja bëja që një ditë të arrija sadopak të transmetoja diçka edhe unë. Isha pesë vjeç.
Ti jeton mes Italisë dhe Shqipërisë. Ke menduar që të pozicionohesh përfundimisht diku për të jetuar, pa këto udhëtimet e shpeshta drejt vendlindjes, drejt familjes, mamit, motrës, etj?
Unë jetoj në Itali prej tre vitesh. Vij shpesh për familjen time, por edhe ata vijnë shpesh tek unë, sidomos motra ime, Pamela.
Si ishte përvoja tek Amici?
Një eksperiencë e paharruar do ngelet. Përvojë si profesionale, psikologjike dhe humane. Atje vetëm merr mësime.
Çfarë mendon për Maria De Filippin? A është ajo një mentore e mirë për të rinjtë që duan të kapin majat dhe suksesin?
Maria është një shembull i vërtetë! Një njeri i thjeshtë, më ka dhënë shumë këshilla, i jep shumë këshilla të rinjve, i ndihmon, i hap dyert, i jep mundësi të shfaqin talentin e tyre si në “Amici” apo në “Tu si que vales”. Ky është tashmë një hap i rëndësishëm. Pastaj, puna dhe suksesi i saj flasin vetë. Është një nga femrat më me influencë.
Si i ke raportet me balerinët e tjerë të njohur shqiptarë në Itali? Komunikon me ta? Me cilin prej tyre mban më shumë kontakte?
Me Kledin dëgjohem më shpesh sepse u njohëm pikërisht në “Amici”. Komunikoj si me Ilir Shaqirin, Leonin, Klajdin etj.
Deri tani folëm për Klaudian profesioniste, artiste, por një tjetër etapë e rëndësishme në jetën e një njeriu është edhe dashuria apo jo? A ka trokitur sërish dashuria tek zemra e Klaudias?
Akoma jo, por….po e pres(qesh).
Le të jemi të sinqertë bashkarisht: ndarja jote nga Albi Nako shkaktoi jo pak zhurmë në median shqiptare dhe gjithë miqtë tuaj. Çfarë raporti ruan tani me Albin?
Një raport të qetë. Ndajmë respekt për njëri-tjetrin.
Mendon se thjesht nuk funksionoi mes ju të dyve apo pati gjëra që u bënë gabim?
Nuk funksionoi më dhe morëm rrugë të ndryshme.
Si duhet të jetë mashkulli ideal për ty?
Duhet të jetë një person i gatshëm të jetojë me jetën time private, por edhe me atë publike. Dhe për ta bërë këtë duhet të jetë i kënaqur me jetën e tij. Inteligjent, i fortë. Njeri i aftë dhe i ndjeshëm.
Projektet e tjera që të presin pas “Këngës Magjike?
Baletin nuk e lë asnjëherë mënjanë, derisa të kem mundësi të kërcej e të jem në skenë. Po studioj aktrim dhe po marr leksione në gjuhën italiane përsa i përket diksionit. Më mjafton të punoj e të përpiqem, të ëndërroj dhe të mos ndaloj, pastaj gjërat e bukura dalin vetë./Class
Fraksion.com