Rrembehet gruaja e miliarderit; Kërkohen 10 milion dollarë në këmbim të jetës së saj
Bashkëshortja e një miliarderi norvegjez është rrëmbyer në tetor. Policia zbuloi ngjarjen vetëm të mërkurën (9 janar) dhe rrëmbyesit po kërkojnë 10 milionë dollarë në këmbim të jetës dhe lirisë së saj.
Anne-Elisabeth Falkevik Hagen është zhdukur që prej 31 tetorit të vitit të kaluar, zbuloi shefi i hetimeve Tommy Broeske.
Bashkëshorti i 68-vjeçares, Tom Hagen, një manjat i pasurive të paluajtshme dhe pronar i rrjeteve shpërndarës të energjisë, është ndër njerëzit më të pasur në Norvegji, me një pasuri totale prej rreth 2 miliardë dollarësh.
Autoritetet thanë se rrëmbyesit lanë një shënim në shtëpinë e çiftit, pranë kryeqytetit të Oslo, duke detajuar pasojat fatale në qoftë se ai nuk do pranonte të paguante paratë e kërkuara në formën e kripto-monedhave.
Është e paqartë shuma e saktë që kërkojnë në shpërblim, por mediat norvegjeze raportojnë se rrëmbyesit kërkuan më shumë se 10 milionë dollarë.
Policia raporton se gruaja është rrëmbyer nga persona të paidentifikuar në shtëpinë e saj.
Në shënim thuhej se 68-vjeçarja do të vritej nëse policia përfshihet në ngjarje.
Hetuesit thanë se kërcënimet në shënim ishin shumë serioze dhe nuk dihet nëse ajo është gjallë.
Nuk ka asnjë të dyshuar në lidhje me ngjarjen.