Protesta që rikonfirmoi Edi Ramën
Nga Ilir Yzeiri
Protesta e studentëve pati shumë e shumë anë dhe shfaqi pothuajse të gjitha shenjat e jetës shqiptare : zemërimin, madhështinë, dinjitetin, por edhe dritëhijet, traumat, psikikën e lodhur, entuziazmin, ironinë, urrejtjen, patologjitë e shpifjeve dhe sharjeve, pra, gjithçka. Të gjitha këto u shfaqën shkallë-shkallë. Në fillim, ajo ishte një manifestim madhështor i zemërimit studentor e shoqëruar edhe me një ndjenjë të lartë dinjiteti. Ata e mbajtën larg politikën dhe sidomos opozitën.
Nuk pranuan që ta delegojnë atë zemërim në asnjë përfaqësi studentësh apo grupesh që mund të merrinin më pas atributet e padëshiruara të politikanëve ordinerë. Ata krijuan, siç thoshte, Mero Baze në një editorial të tijin, tipin dhe modelin e studentit të zemëruar që identifikohej me cilindo student krenar që kërkon dije dhe jo të blejë notën.
Tronditjen më të madhe nga kjo protestë e pësoi qeveria e Edi Ramës dhe personalisht jam i prirur të besoj se Kryeministri i Shqipërisë, ashtu siç e deklaroi vetë, e ndieu thellë shuplakën e protestës. Largimi nga qeveria e gati gjysmës së kabinetit ishte përgjigjja e shuplakës dhe një përgjegjësi e re.
Në fillimi opozita, pra, LSI-ja dhe PD-ja, qëndruan si në distancë dhe kaluan në delir se menduan që zemërimi i studentëve dhe rrugët plot mund të ishin një mundësi e mirë që studentët të thërrisnin opozitën dhe bashkë me të ta çonin më tej kauzën e nisur, duke e shndërruar zemërimin e fillimit në kërkesa politike që do ta kënaqnin atë. Mirëpo kjo nuk ndodhi. Përkundrazi, ndodhi ajo që askush nuk e mendonte.
Protestuesit, në heshtje, e pranuan dialogun në distancë me Edi Ramën dhe pikërisht atëhere kur të gjitha studiot e televizioneve gjeneraliste zienin nga patosi për ta vënë Edi Ramën me shpatulla për muri, ky i fundit nuk ngurroi dhe u përplas vetë me studentët. Në këtë përballje ai jo vetëm tregoi përgjegjshmëri, por shfaqi edhe anën më të fortë si personazh politik që është zotërimi absolut i teknikës së komunikimit publik. Ndihmën më të madhe në këtë kohë ia dha as më shumë e as më pak, por Blendi Fevziu.
Emisionet e tij me studentë të mllefosur dhe përballja e Ramës në studion e tij ia siguruan përfundimisht fitoren kryeministrit shqiptar sepse në ato përballje, për fat të keq, nuk artikuloheshin problematikat e studentëve të zemëruar, por vreri kundër Ramës. Në raste të tilla, me një personazh si Rama që zotëron në perfeksion batutën dhe ironinë, është e vështirë ta nxjerrësh të humbur. Përtej kësaj, Rama ishte më i vëmendshëm ndaj kërkesave të studentëve sesa ndaj akuzave që i bëheshin atij për gjithfarësoj hyneresh.
Kapitulli i tretë dhe i fundit dihet. Ndërkohë që Rama me shpejtësi miratoi disa VKM që zgjidhnin kërkesat e studentëve, opozita nxitoi të rrëmbente zemërimin e shuar të studentëve dhe mbi hirin e tij të ndizte flakën e pajetë të kauzave të humbura të saj. Ajo që ndodhi pas festave të fundvitit ishte trishtuese dhe banale. Pas kësaj, opozita është mirë të tërhiqet për disa kohë nga aksionet politike të daljes në rrugë dhe të shohë strategji të tjera të përballjes me qeverinë. Protesta e studentëve të zemëruar ishte në një farë mënyre rikonfirmim i Edi Ramës.
Fraksion.com