Presidenti Trump e sheh premtimin për murin si rrugë drejt një mandati të dytë
Presidenti Donald Trump dhe demokratët e opozitës vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta lidhur me kërkesën e Presidentit për murin e kufirit me Meksikën, një përplasje që ka shkaktuar një mbyllje të pjesshme të qeverisë, e cila ka hyrë tashmë në javën e tretë. Zoti Trump beson se vënia në vend e premtimit të tij të fushatës për murin në kufi, është jetike për synimin e tij për rizgjedhje vitin e ardhshëm. Demokratët besojnë po me aq forcë se duhet ta ndalojnë atë për të treguar vlerat e partisë së tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone sjell më shumë lidhur me motivet politike të secilës parti në këtë duel për mbylljen e qeverisë.
Duke përmendur si argument një krizë në kufirin jugor, Presidenti Trump përdori një fjalim televiziv për të bërë thirrje edhe një herë për murin në kufi.
“Demokratët në Kongres kanë refuzar të pranojnë që ka një krizë dhe kanë refuzuar që t’u jepen agjentëve të guximshëm të kufirit mjetet që u duhen për të mbrojtur fëmijët tanë dhe vendin tonë”, tha Presidenti Trump.
Demokratët e kundërshtojnë murin dhe besojnë se zoti Trump po e mban vendin peng, thjesht për të mbajtur premtimin e fushatës.
“Shumë president e kanë përdorur Zyrën Ovale për synime fisnike. Ky president sapo e përdori sfondin e kësaj zyre për të prodhuar një krizë, për të ngjallur frikë dhe për të shmangur vëmendjen nga kaosi në administratën e tij”, tha kreu i demokratëve në senat, Chuck Schumer.
Mes atyre që ndoqën fjalimin e presidentit, ishte mbështetësja e tij nga Teksasi, Jeneria Lewis.
“Ishte një lutje. Mua m’u duk një lutje logjike dhe e mbështes atë”, tha ajo.
Por ata që janë detyruar të mos punojnë nga mbyllja e pjesshme e qeverisë, janë të irrituar. Një prej tyre është Mike Gayzagiani në Masaçusets.
Punonjës i pezulluar nga mbyllja e qeverisë
“Të mbajnë peng pagat tona, ndërsa zihen me njëri-tjetrin për çështje politike, është e padrejtë. Nuk është e drejtë për askënd”, thotë ai.
Donald Trump mobilizoi fushatën e tij me një premtim për të ndërtuar një mur për të cilin do të paguante Meksika.
Tani ai është nën presionin e konservatorëve për ta çuar në vend këtë premtim, thotë analisti Larry Sabato.
“Thelbi i asaj që thanë ishte ‘nëse nuk bën më shumë presion për murin dhe nuk siguron miliarda dollarë për ta ndërtuar atë, atëherë baza jote që ne e përfaqësojmë, nuk do të të mbështesë në vitin 2020.”
Çështja e imigracionit është një nga gurët e themelit edhe për demokratët e opozitës që janë moralisht kundër murit në kufi dhe linjën e ashpër të presidentit, thotë profesori Sabato.
“Bëhet fjalë për trajtimin e imigrantëve në kufi. Bëhet fjalë për ndarje të familjeve. Është një çështje e të drejtave të njeriut. Nuk bëhet fjalë thjesht për sigurinë në kufi”, thotë ai.
I përballur me mbëshjtetje historikisht të ulët në anketa, dy vjet pasi mori mandatin, zotit Trump duket i përqendruar të kënaqë bazën e tij.
Por sipas historianes, Doris Kearns Goodwin kjo është një strategji e rrezikshme.
“Nuk kam parë që Presidenti Trump të kalojë nga faza e fushatës tek ajo e qeverisjes dhe baza duket se ka një marrëdhënie magjike me të, sipas mendimit të tij dhe ai nuk ka bërë përpjekje për ta kapërcyer këtë fazë. Ai thjesht do të sigurohet që nuk i ka humbur ata”.
Zoti Trump beson se rruga drejt rizgjedhjes është përmes murit të kufirit, që tani për tani nuk është real.
Demokratët, përfshirë shumë prej atyre që duan të kandidojnë për president vitin e ardhshëm, duken po aq të vendosur që të mos ta lejojnë të fitojë, ndërsa fushata për vitin 2020 është gati të fillojë.
Fraksion.com