Pompeo në Kairo, kritikon politikat e ish-Presidentit Obama
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, kritikoi ashpër politikat për Lindjen e Mesme të administratës së ish-Presidentit Barak Obama.
Ai kritikoi ish-presidentin për një vizion të gabuar që e uli rolin e Amerikës në rajon, dëmtoi miqtë e vjetër të saj dhe inkurajoi armikun kryesor: Iranin.
Në një fjalim në Universitetin Amerikan në Kajro, Pompeo e quajti paraardhësin e Presidentit Donald Trump naiv dhe të ndrojtur në përballjen me sfidat që sollën revoltat, të cilat tronditën Lindjen e Mesme, duke përfshirë Egjiptin, në fillim të vitit 2011.
Sekretari i Shtetit fajësoi veçanërisht vizionin e paraqitur nga Obama në Kajro në vitin 2009 ku foli për “një fillim të ri” për marrëdhëniet e SHBA me vendet e botës arabe dhe muslimane.
“Rezultatet e këtyre gabimeve kanë qenë të tmerrshme,” tha Pompeo.
Pompeo fajësoi qasjen e administratës së mëparshme ndaj Lindjes së Mesme për të këqiat e sotme, sidomos për rritjen e grupit të Shtetit Islamik në Irak dhe Siri dhe forcimin e Iranit. Sipas zotit Pompeo, ky ishte rezultat i drejtpërdrejtë i lehtësimit të sanksioneve, të cilat u rivendosën nga administrata e Presidentit Donald Trump.
Zoti Pompeo kritikoi gjithashtu ish-Presidentin Obama për shpërfilljen e rritjes së lëvizjes Hezbollah të mbështetur nga Irani në Liban, në dëm të sigurisë së Izraelit.
Ai tha se që nga zgjedhja e Presidentit Trump, kjo po ndryshonte.
Fraksion.com