“Përplasje Rama-Bushati”, gazetarë e politikanë reagojnë për çështjen ‘Cakaj’
Shprehja e qëndrimit pro ndryshimit të kufirit Kosovë-Serbi duket se do të ndikojë negativisht në karrierën politike të Gent Cakajt në Shqipëri dhe ashtu siç pritej ky fakt kushtëzoi edhe vendimin e Presidentit Ilir Meta për të mos e dekretuar atë në krye të Ministrisë së Jashtme.
Kreu i Shtetit e justifikoi kthimin e dekretit duke thënë se Cakaj nuk ka përvojë si dhe ka mbajtur qëndrime publike të papranueshme për çështjen e kufijve të Kosovës.
E teksa vendimi për Cakajn ka ndezur luftën Meta-Rama, duke futur në “lojë” edhe patriotizmin referuar Kosovës, prej nga 28-vjeçari i propozuar për në krye të MEPJ vjen, analistë, gazetarë e politikanë në Tiranë e Prishtinë e kanë komentuar në versione të ndryshme çështjen.
Rrjeti në fakt po “zien” prej reagimeve për precedentin “Cakaj” dhe ka nga ata që mbështesin refuzimin nga Presidenti e të tjerë që vendosin në dyshim seriozitetin e institucioneve shqiptare, duke qenë se tashmë kryeministri Rama pasi e “shkarkoi” Ditmir Bushatin, duhet t’i kërkojë atij dorëheqjen.
Nga Prishtina, publicisti Veton Surroi shprehet se “debati rreth Ministrit të jashtëm të Shqipërisë po merr kahen e tifozërisë, e në tifozëri nuk ka debat”.
Sipas Surroit, duhet hequr mënjanë gjuha e stadiumit të futbollit dhe kryeministri Rama duhet t’i shpjegojë Presidentit Meta “pse duhet të ndryshojë politika e jashtme në mënyrë që të përputhet më me vizionin ri të tij”.
“Kryeministri duhet të japë në konsultime të gjera me grupacionin e tij politik dhe me Presidentin shpjegimin se çka duhet të ndryshojë në politikën e jashtme të Shqipërisë. Këtu kryeministri mund të ndihmojë në sqarimin se a duhet të përkrahë Shqipëria apo jo ndarjen e Kosovës në vija etnike të propozuar nga presidenti Vuçiq dhe të pranuar nga presidenti Thaçi? Kjo është një pyetje që nuk i përket as vetëm kryeministrit e as vetëm grupacionit të tij politik, por ka nevojë për një koncensus më të gjerë , përfshirë edhe mendimin e opozitës, zërin e së cilës e ka obligim kushtetues ta dëgjojë Presidenti i vendit”, thekson politikani i njohur kosovar.
Ndërkohë në Tiranë, gazetari i TCH, Klodian Tomorri thotë se refuzimi i Metës për Cakajn ka sjellë përplasje në kabinetin qeveritar. Tomorri thotë se kryeministri i Shqipërisë “është duke i bërë presion ministrit të Jashtëm në detyrë të japë dorëheqjen për të futur Gent Cakën nga dera e mbrapme në postin e ministrit”.
“Synimi eshte qe pasi te dorehiqet Ditmir Bushati, zoti Caka te behet zevendesministri i pare, nje skenar i ngjashem me ate qe u tentua me Sander Lleshajn ne Ministrine e Brendshme. Ngerci me emerimin e ministrit te jashtem po nxjerr edhe nje here ne pah se sa shtet qesharak jemi dhe se sa institucione qesharake kemi ne kete vend. A mund t’i kerkohet doreheqja dikujt qe e ke shkarkuar me pare? Qesharake deri ne dhimbje. Eshte e vertete qe qeveria eshte kompetence e kryeministrit. Por ka ndryshim te madh mes komptences dhe trajtimit te shtetit si ciflig privat”, shkruan Tomorri.
Për rastin ka reaguar edhe kreu i Grupit të LSI, Petrity Vasili, i cili thotë se Rama u poshtërua.
“Shqiperia plot ngjyra ka nje kryeminister te zi. Sot bufonet me meditje te zeze u poshteruan perballe perballe statalizmit shembullor te ligjit dhe kushtetutes. Shqiperia po po ka shprese”, shkruan Vasili.
Ndërkohë gazetari Kosovar Berat Buzhala thotë se Gent Cakaj është “mish për top” I kryeministrit Edi Rama dhe analistit Baton Haxhiu. Ai madje thekson se Rama, “nuk ka nevoje me i kërku falje Kosovës për pamundësinë e emerimit te Gentit ne krye te Ministrisë se Punëve te Jashtme”, por Haxhiut, duke aluduar se Cakaj ishte një propozim i Baton Haxhiut.
“Me sa kam unë njohuri Genti nuk po emërohej aty si Ministër i Punëve te Jashtme te Kosovës, por si ministër i Punëve te Jashtme te Shqipërisë. Rama, e Batoni, as nuk i kane borxh Kosovës e as Kosova nuk iu ka borxh atyre. Fatkeqësia, e për këtë me vjen shume keq, është qe Genti u përdorë nga Rama, ndoshta edhe nga Batoni, për qërim hesapesh te brendshme. Gentin nuk e ka propozuar populli i Kosovës, ne një referendum, për Ministër te Punëve te Jashtme. Gentin, po besoj, e ka propozuar Batoni. Prandaj Edi Rama mundet me i kërku falje veç Batonit”, shprehet Buzhala.
Për mosdekretimin e Gent Cakaj ka reaguar edhe djali i ish-kryeministrit Sali Berisha. Shkëlzen Berisha duke ju referuar postimeve të kreut të qeverisë Edi Rama pas vendimit të Metës, shkruann se “në ‘rradaken’ e Ramës, Kosova fillon e mbaron si ‘nahija’ e Batonit”.
Ndërkohë, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji në një postim në Facebook shkruan se “Rama dhe DSIK i kanë dhënë certifikatën e sigurisë aplikuesit zëvendës ministër që nuk e ka marrë për muaj me radhë certifikatën”.
Më tej ai shton se “për deputetët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare u deshën 5 muaj verifikime dhe konfirmime nga të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare, madje disa deputetëve të Rilindjes nuk iu dha kjo certifikatë nga DSIK”.
Po ashtu deputeti demokrat shton se Rama po qeveris në tejkalim të ligjit dhe Kushtetutës dhe shton se vendimi i Presidentit të Republikës është kushtetues derisa gjykata të shprehet.
Edhe Naser Rugova, deputet i Kuvendit të Kosovës ka reaguar për çështjen “Cakaj”, duke mbështetur Presidentin Meta për mosdekretimin e tij në krye të Ministrisë së Jashtme.
“Të jeni i sigurtë se vendimi juaj për mos dekretimin e një çuni të ri ( anonim ), për postin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, duke ditur se kush qëndron pas tij si dhe deklarimet e tij avanturiere, të dëmshme në raport me Kosovën dhe stabilitetin në rajon, ka mbështetje të gjerë te spektri politik, opinioni publik dhe qarku kulturor dhe analitik në Kosovë! Keni bërë gjënë e duhur!”, shkruan ai./shqip.com
Fraksion.com