AktualitetBota+Të fundit

DW: Kush i pranon migrantët? Grindje e pafundme në BE

Të mërkurën 49 migrantë i lanë anijet e shpëtimit para Maltës. Por një zgjidhje e qëndrueshme europiane për shpërndarjen e refugjatëve nuk duket në horizont. Disa vende anëtare refuzojnë kategorikisht.

Më shumë se dy javë u desh që vendet anëtare të BE-së të binin në ujdi për të shpërndarë 49 refugjatët në dy anijet e shpëtimit që vërtiteshin para brigjeve të Maltës. Vetëm pas një ndërmjetësimi intensiv të Komisionit Europian, Gjermania, Franca, Holanda, Portugalia, Rumania, Luksemburgu, Italia dhe Malta ranë dakord për shpërndarjen e migrantëve.

Kërkohet zgjidhje e qëndrueshme

Komisioneri i BE-së për migracionin, Dimitris Avramoupolos e vlerësoi në Bruksel gatishmërinë e këtyre vendeve anëtare duke e quajtur atë një “shembull të solidaritetit europian”. Megjithatë ai theksoi, se shpërndarjet momentale nuk janë një zgjidhje e qëndrueshme për problemin e migrantëve. Nuk është e mundur që me çdo anije të fillohet të negociohet nga e para. Edhe nëse synimi është ndalimi i “migracionit ilegal”, shtetet anëtare duhet të jenë aq të sinqerta, sa të pranojnë, që do të ketë gjithmonë një “numër të caktuar” migrantësh që do të marrin rrugën përmes Mesdheut drejt Europës. Për këtë numër të vogël duhet gjetur një zgjidhje e qëndrueshme. Nëse kjo nuk është e mundur, duhet të paktën të arrihet një mekanizëm shpërndarës i kufizuar në kohë, derisa të krijohet një e drejtë e re për azilin në Europë.

Numri i refugjatëve ulet

Pikërisht për një mekanizëm të tillë grinden shtetet anëtare të BE prej vitesh. Polonia dhe Hungaria, janë dy vende që e refuzojnë kategorikisht pranimin e migrantëve dhe azilkërkuesve, megjithë vendimet gjyqësore që thonë të kundërtën. Qeveria populiste e Italisë kërkon shpërndarjen në vendet e tjera anëtare. Deri sa të arrihet kjo, Italia do t’i mbajë të mbyllura portet e saj dhe nuk do të pranojë asnjë refugjat, bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme të Italisë, Matteo Salvini, populist i djathtë. Komisioneri Avramopoulos kujtoi edhe njëherë të mërkurën, se barra kryesore e prurjeve aktualisht ka rënë mbi Spanjën. 150.000 vetë erdhën përmes Mesdheut në Europë në vitin 2015. Kjo është shifra më e ulët që nga viti 2013. Sipas Komisionit Europian nuk mund të flitet më për një “krizë refugjatësh”.

Negociata për “Sophia-n”

Në Bruksel ende negociohet për të ardhmen e misionit të marinës së BE, “Sophia”, që ka si detyrë të shpëtojë migrantë në rrezik në det të hapur. Anijet e “Sophias” i “zbarkonin” në Itali refugjatët e shpëtuar në det të ardhur nga Libia. Por qeveria populiste italiane e refuzon tani këtë rregullore dhe kërkon ndryshimin e rregulloreve për misionin “Sophia”. Për shkak se vende të tjera të BE e refuzojnë shpërndarjen e detyrueshme të refugjatëve në BE, ka rrezik që misioni “Sophia” të mbyllet. Mandati i misionit u shty pak para krishtlindjeve me tre muaj deri në mars 2019. Ky mision ka si detyrë kryesore trajnimin e rojes bregdetare libiane, që sipas BE, refugjatët e shpëtuar në det të hapur t’i kthente në Libi./DW

Fraksion.com