AktualitetPolitikëTë fundit

Ambasadori i BE, Soreca : Me ngritjen e SPAK do ketë hetime e dënime në nivel politik

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca ka paralajmëruar ditën e djeshme se me ngritjen e SPAK do të nisë lufta kundër korrupsionit në nivel politik. Gjatë një prononcimi për mediat, ambasadori Soreca kërkoi nga organet e reja të drejtësisë në Shqipëri që të luftojnë korrupsionin, ndërsa garantoi se Bashkimi Europian do t’i mbështesë këto institucione. Në këtë kontekst, Soreca theksoi se lufta kundër korrupsionit në nivel zyrtarësh, duhet të jetë frontale dhe kushdo që ka abuzuar duhet të dënohet. “Korrupsioni duhet luftuar në çdo lloj niveli, madje edhe në nivelin politik. Prandaj edhe ne si Bashkim Europian presim ngritjen e SPAK dhe e inkurajojmë atë që pasi të krijohet të nisë hetimet në çdo sektor të shoqërisë, përfshi nivelin politik. Dhe ne si Bashkim Europian presim që hetimi i politikanëve nga SPAK të pasohet me ndjekje penale dhe dënime. Kjo është vendimtare. Pse është vendimtare? Sepse lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një përparësi kyçe për Shqipërinë dhe Bashkimin Europian. Shqipëria dhe Ministria e Brendshme në vjeshtën e vitit 2018 nisën një goditje frontale ndaj krimit të organizuar. Operacioni “Forca e Ligjit” ishte shumë efektive dhe ne presim që kjo të vijojë. Madje, unë pres me padurim të takoj ministrin Lleshaj sa më parë edhe për të diskutuar për këtë punë”, deklaroi ai.

BE inkurajon magjistratët t’i bashkohen SPAK

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca më tej gjatë fjalës së tij përshëndeti dhe përgëzoi thirrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për konstituimin e SPAK. Në këtë kontekst, ambasadori Soreca iu bëri thirrje dhe inkurajoi magjistratët që të bëhen pjesë e kësaj strukture, ndërsa iu kërkoi atyre që të jenë racional në punën e tyre dhe të refuzojnë me forcë presionet politike në adresë të tyre. “Thirrja e bërë dy ditë më parë për zgjedhjen e prokurorëve në zyrën e posaçme të prokurorisë, është një arritje shumë e rëndësishme dhe ne si Bashkim Europian jemi shumë të kënaqur. Kjo vjen në kuadër të zhvillimeve të rëndësishme që u bënë në dhjetor me ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe me formimin Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Këto janë piketat e para të reformës në drejtësi. Tani është koha që magjistratët të aplikojnë për këto pozicione. Thirrja për aplikime është e hapur deri në 7 shkurt. Ne i bëjmë thirrje të gjithë magjistratëve shqiptarë që janë të vendosur, që janë të angazhuar dhe të pavarur që të aplikojnë në këtë post. Ata duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe ne presim me padurim që t’i shohim ata në veprim pas dy muajsh, të lirë nga ndikimi politik dhe çdo ndikim tjetër”, u shpreh ai.

Reforma në drejtësi

Duke komentuar reformën në drejtësi në një kontekst më të gjerë, ambasadori Soreca deklaroi se kjo reformë nuk është e rëndësishme vetëm për shqiptarët, por edhe për vetë Bashkimin Europian. Sipas tij, çelja e negociatave me BE në qershor varet nga ecuria e reformës në drejtësi. “Reforma e sistemit të drejtësisë është rëndësishme për shqiptarët, vendin por është e rëndësishme edhe për Bashkimin Europian. Këtu duhet të kemi parasysh vendimin që Bashkimi Europian do të marrë në qershor lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë. Eurobarometrin i fundit i BE-së i dalë për Shqipërinë, na tregon se 93% e shqiptarëve dëshirojnë t’i bashkohen Bashkimit Europian dhe ky është rezultati më i lartë në të gjithë rajonin dhe është rritur krahasuar me Eurobarometrin e fundit të BE-së. Kështu që shqiptarët e duan BE, ndaj ne duam të mbështesim Shqipërinë që të bëjë progres në reformat dhe në veçanti me atë në drejtësi”, nënvizoi Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.