Kotzias: Shqipëria e madhe dhe Bullgaria e madhe do të sillnin luftën në Ballkan
“Ali Ahmeti, udhëheqësi kryesor i shqiptarëve në Shkup, në një prej takimeve të gjata dhe të lodhshme që pata me të më kërkoi zgjidhjen sa më parë të çështjes së emrit duke deklaruar se nëse kjo çështje zvarritej, duke bllokuar edhe rrugën e integrimit të Shkupit në Bashkimit Europian rrezikohej një mpleksje e rrezikshme ekstremizmit fetar me nacionalizimin shqiptar”, thotë Kotzias.
Marrëveshja është kundërshtuar fort në Greqi nga opozita, por sidomos nga grupimet ekstremiste greke, të cilat i mëshonin idesë së ndarjes së Maqedonisë mes Bullgarisë, Greqisë dhe Shqipërisë. Kotzias mbron sërish marrëveshjen dhe rrëzon argumentet e kundërshtarëve të saj me një kundërargument që përfshin Bullgarinë dhe Shqipërinë.
“Nëse Maqedonia do të ndahej, atëherë Greqia do të ishte përballë një rreziku të dyfishtë më të madh. Në veri do të kufizoheshim me një Shqipëri më të madhe dhe një Bullgari akoma më të madhe. Kjo do të ushqente nacionalizmin në të dyja këto vende. Le të imagjinojmë për një moment se çfarë do të ndodhte në rajonin tonë nëse zërat nacionalistë do të dëgjoheshin në Tiranë, Shkup, Athinë e Ankara. Unë personalisht nuk imagjinoj dot më pak se luftë”, shkruan ish-kryediplomati grek.
Kotzias lëvdon kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev dhe qorton qasjen, sipas tij, irridentiste të Nikolla Gruevskit sa i takon çështjes së emrit. Ai thotë se nëse në Shkup nuk do të kishte ardhur Zaev gjërat do të ishin në vendnumëro, në mos më të përkeqësuara.
Fraksion.com