AktualitetTë fundit

Studentët para kryeministrisë; ‘Nuk ia lëmë vendin asnjë klase politike të korruptuar’

Kanë rinisur sërish sot protestat e studentëve, të cilët kanë marshuar së bashku dhe janë mbledhur para Kryeministrisë.

Pas një marshimi nga fakultetet e tyre, studentët janë mbledhur para godinës së Kryeministrisë.

“Ne nuk ndalemi, nuk tërhiqemi, nuk ia lëmë vendin asnjë klase politike të korruptuar, ta fiksojë mirë Edi Rama e të dalë sa nuk është vonë, dil dhe plotëso kërkesat”- bëjnë thirrje protestuesit.

Sipas tyre, VKM e miratuar nga Rama për ligjin e arsimit të lartë, mund të ndryshojë çdo moment, ndaj për kërkesat e tyre kërkojnë “vulën” e parlamentit.

“Nuk do ta lejojmë më këtë ligj të jetë në fuqi. Ky ligj vazhdon dhe merr gjakun e prindërve tanë.Sot duhet të jemi më të bashkuar se kurrë. Nesër ne do të na merret e ardhmja dhe rinia. Qëndroni të bashkuar. Kjo protestë është për të gjithë rininë, studentët, të gjithë gjimnazistët. Nëse nuk ngrejmë zërin sot, nesër do të jemi një hiç”, – thonë ata njëzëri.

Te gjithë bashkë shprehen të vendosur për të protestuar deri në plotësimin pa asnjë kusht të kërkesave të tyre, duke deklaruar se nuk heqin dorë nga protesta.

Protesta ka nisur sot rreth orës 09:30, ndërsa është bojkotuar sërish mësimi, teksa studentët shprehen se nuk janë të kënaqur me vendimin e Këshillit të Ministrave, lidhur me plotësimin që iu bë 8 kërkesave të tyre të parashtruara në muajin dhjetor.

 

Fraksion.com