Wieland: Ndryshimi i kufijve Kosovë-Serbi nuk është ide e mirë
Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, tha të mërkurën në Prishtinë se mundësia e ndryshimit të kufijve ndërmjet Kosovës e Serbisë, nuk do të ishte ide e mirë.
Ai i bëri këto komente pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në të cilin është diskutuar për sfidat me të cilat pritet të përballet Kosova gjatë vitit 2019.
Zëvendëspresidenti Wieland tha se arritja e një marrëveshjeje përmes ndryshimit të kufijve nuk do të ishte ide e mirë.
“Pothuajse fjalë për fjalë i thash kryeministrit tuaj se në momentin e parë që kam dëgjuar që njerëzit po propozonin ndryshimin e kufijve duke u bazuar në disa marrëveshje, unë isha shumë i dëshpëruar, por u ndjeva shumë i lumtur nga qëndrimi i kancelares Angela Merkel dhe të koalicionit tonë qeverisës që e sqaruan se ne nuk mendojmë se është një hap i mirë për të ndryshuar kufijtë”…tha ai duke nënvizuar se ndryshimi i kufijve mund të sjellë më shumë probleme se sa arritje pozitive.
Wieland bëri thirrje ndërkaq që të mos premtohen afate për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ai tha se nuk mund të premtoj kur mund të bëhet ndodhë një gjë e tillë, meqë disa qeveri nëpër Evropë ende nuk janë bindur për të hequr vizat për qytetarët e Kosovës.
Kosova hyri në vitin 2019 pa liberalizim të vizave për qytetarët e saj, pavarësisht kushteve të përmbushura dhe premtimet e politikanëve që kjo çështje do të ndodhë gjatë vitit që lamë pas.
Viti që sapo ka filluar pritet të jetë i vështirë për Kosovën e cila pret të hyjë në një periudhë të re bisedimesh me Serbinë për të arritur një marrëveshje përfundimtare normalizimi që është kusht për integrimet në Bashkimin Evropian, i cili në pranverë do të jetë në një periudhë zgjedhjesh që priten me shumë shqetësime.
Fraksion.com