AktualitetTë fundit

U paralizua në krye të detyrës; Polici hero vazhdon punën vullnetarisht

24 maji i vitit të largët 2004 ishte dita që i ndryshoi jetën përgjithmonë efektivit të Policisë Rrugore, Resmi Hasanpapaj. Ai nuk e dinte se atë mbrëmje, në krye të detyrës do të përballej me krimin. Pasojat ishin tejet të rënda.

Nga shkëmbimi i zjarrit me agresorët, gjatë ndalimit të një makine të vjedhur, Resmiu vet do të mbetej i paralizuar, ndërsa kolegu i tij në shërbim Allaman Dervishi, fatkeqësisht nuk iu mbijetoi dot plagëve të marra.

“Historia është shumë e rëndë, është shumë e vështirë të dalësh nga shtëpia dhe të kthehesh në gjendjen që u ktheva unë, apo edhe më keq kolegu im, që mbeti i vrarë në krye të detyrës. Por duhet parë përpara”, thotë Resmi Hasanpapaj.

Nga ngjarja e deri më sot kanë kaluar gati 15 vite.

“Përveç kufizimit të aftësive fizike, këto janë trauma që jo gjithkush mund t’i përballojë. Unë kam pasur mbështetjen e familjes, përkrahjen e të gjithë kolegëve, sidomos atyre të Policisë Rrugore”, rrëfen më tej Resmiu.

Pasioni për policinë ka bërë që Resmiu të mos e harrojë misionin, për të cilin dikur u betua. Sot, ai ndihmon vullnetarisht, çdo ditë e përreth 3 orë, kolegët e tij të Kartotekës në Policinë Rrugore të Tiranës.

“Të jem i sinqertë ndihem i integruar. Këtu në Komisariatin e Policisë Rrugore kam gjetur një ambient shumë të ngrohtë dhe dua të falënderoj të gjithë kolegët dhe drejtuesit. Ndihem mirë”, tha Hasanpapaj.

Policia e Shtetit numëron mbi 200 efektivë të rënë në krye të detyrës, ndërsa Resmi Hasanpapaj mund të cilësohet “dëshmori i gjallë” i uniformave blu.

 

Fraksion.com