AktualitetBota+Të fundit

Spiun apo dasmor?!

“Ndalesa e radhës, Moska…”

Ky është mesazhi që Paul Whelan ka shkruar në llogarinë e tij në median sociale ruse VK. Për herë të fundit ai është dëgjuar më 28 dhjetor. Pas kësaj dite, familja e tij ka nisur të brengoset.

Whelan, 48 vjeç, ish-pjesëtar i Marinës së Shteteve të Bashkuara, ka udhëtuar në Rusi disa herë. Vëllai i tij binjak thotë se ai flet mjaftueshëm rusisht. Sipas David Whelan, Paul ka shkuar këtë herë në Rusi për të marrë pjesë në dasmën e një shoku të marinës, i cili është martuar me një grua ruse.

Më 31 dhjetor, familja ka mësuar vendndodhjen e tij: ai është ndaluar nga Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi nën akuzat për spiunim, të cilat bartin dënim të mundshëm me burgim deri në 20 vjet.

Që atëherë, pak informacione janë bërë të ditura se ku është duke u mbajtur shtetasi amerikan dhe cilat janë akuzat specifike kundër tij. Pak po ashtu dihet për njeriun, i cili ka shërbyer si drejtor për sigurinë globale në BorgWarner – një furnizus i pjesëve të automobilëve, me seli në SHBA – qysh në vitin 2017.

I lindur në Kanada, Whelan është rritur jashtë Detroritit në Miçigen. Tani, në profilin e tij në VK e ka En Arbor si vend të banimit.

Postimi më i fundit në faqen e tij e tregon Whelan në bordin e një aeroplani Bombardier Challenger. Aty nuk thuhet se për ku është dule udhëtuar, por janë disa simbole që tregojnë shishen dhe gotat e shampanjës.

Profili i Whelan në VK
Profili i Whelan në VK

Dy nga videot që ai ka postuar, janë në rusisht, përfshirë një të titulluar: “Ushtria është pasqyrë e shtetit” (Армия — зеркало государства). Ndërkohë, katër nga “faqet e tij të veçuara” në VK janë në rusisht, përfshirë versionin rus të National Geographic.

Një fotografi e majit, 2016, në faqen e tij e tregon Whelan me një bluzë të klubit të futbollit Spartak Moska, por nuk është e qartë se ku është bërë fotografia.

Midis viteve 1990 dhe 2008, Whelan ka shërbyer disa turne në Irak si rezervist në detyrë.

Në një artikull të vitit 2007, të publikuar në ueb-faqen zyrtare të Korpusit Detar të Shteteve të Bashkuara, Whelan flet për shkuarjen në Evropë gjatë një pushimi nga angazhimi në Irak. Një nga fotografitë në artikull etregon Whelan pranë lumit në Moskë, me Kremlinin në prapavijë.

Në BorgWarner, puna e Whelan ka përfshirë mbikëqyrjen e sigurisë për objektet, asetet dhe njerëzit e kompanisë në Auburn Hills të Miçigenit dhe në mbarë botën.

Postimi i fundit i Whelan në VK ishte: “Ndalesa e radhës, Moska…”
Postimi i fundit i Whelan në VK ishte: “Ndalesa e radhës, Moska…”

“BorgWarner ka qenë në kontakt me autoritetet përkatëse të Qeverisë së SHBA-së dhe ka ofruar bashkëpunimin tonë të plotë për të ndihmuar punonjësin tonë dhe Qeverinë amerikane”, tha kompania përmes një deklarate.

Përveç punës së tij në BorgWarner, Whelan duket se gjithashtu drejton një përfaqësi online të armëve, e quajtur Kingsmead Arsenal, e cila është themeluar në vitin 2015. Adresa e shënuar për biznesin është në Novi, Miçigen.

Në një postim më 9 nëntor, 2016, Whelan e ka përshëndetur fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

“Përpara president Trump”, thuhet në postimin e shkruar me alfabet cirilik.

Radio Evropa e Lirë ka provuar të thërrasë një numër telefoni që Whelan e ka nxjerrë në një postim, por e ka pasur të pamundur të lidhet./REL

 

Fraksion.com