AktualitetTë fundit

Shqipëria zotëron 290 lloje shpendësh autokton; 90 lloje rrezikojnë zhdukjen

Shqipëria ka një perspektivë brilante për të zhvilluar turizmin e biodiversitetit prej shumëllojshmërisë së shpendëve autoktonë që arrijnë në 290 lloje, mes tyre edhe pelikani Kaçurrel dhe Flamingo. Por sipas një studimi të Programit të  Kombeve të Bashkuara PNUD rreth 90 lloje të shpendëve rrezikojnë të zhduken.

Peizazhi i larmishëm, pozicioni gjeografik, relievi i pasur, klima e favorshme në çdo stinë të vitit i kanë dhuruar Shqipërisë kushtet e përshtatshme për të zhvilluar më së miri si florën, edhe faunën në vend. Në një peizazh të tillë merr jetë një shumëllojshmëri shpendësh, të cilët janë pasuri me vlera të mëdha dhe të pazëvendësueshme për vendin tonë.

Numri i tyre në Shqipëri arrin në rreth 370 lloje, nga të cilat rreth 290 lloje janë autoktone. Nga veriu në jug të Evropës e më tej në Afrikën Veriore e Azinë e Vogël mund të numërohen rreth 80 lloje shpendësh shtegtarë.

Lagunat bregdetare dhe liqenet e vendit tonë janë vendbanime të rëndësishme që ofrojnë kushtet e  nevojshme veçanërisht për dimërimin e shpendëve migratore. Prej vitesh në këto mjedise hasen rreth 70 lloje shpendësh uji, me një popullatë që arrin deri në 180.000 individë gjatë dimrit.

Vlerat e shpendëve janë shumëdimensionale. Së pari ka vlera për shëndetin pasi kanë vlera të pazëvendësueshme në ekuilibrin biologjik midis qenieve të gjalla duke penguar shtimin e madh të insekteve dhe dëmtuesve të ndryshëm.

Së dyti kanë vlera si pasuri natyrore që vjen bashkë me zhvillimin ekonomik duke nxitur turizmin natyror të kombinuar me aktivitete të ndryshme që lidhen me kuriozitetin që ndjellin këta shpendë.

Së treti mbartin vlerat e harmonizimit me natyrën, por edhe shkrirjen me botën njerëzore. Bota e pasur dhe e larmishme e shpendëve është e lidhur ngushtë me kulturën tradicionale të trashëguar në breza.

Por mungesa e ndërgjegjësimit dhe shfrytëzimi pa kriter po sjell përkeqësimin e raportit njeri-natyrë. Në Shqipëri gjenden rreth 91 lloje të kërcënuara në nivel global, përfshirë këtu dhe Pelikanin kaçurrel.

Larmia biologjike dhe ajo e peizazhit janë një pasuri, e cila, përveçse të shijohet nga vetë ne, mund të përdoret për të nxitur zhvillimin e turizmit. Nëse ne nuk jemi në gjendje dhe të përgjegjshëm për mbrojtjen e diversitetit biologjik dhe natyror, ekziston rreziku i humbjes së vlerave të tyre.

Aktivitetet si shëtitjet në natyrë, ngjitjet në mal, gjuetia, peshkimi, si dhe aktivitete të tjera, atraktive  për turizmin, kërkojnë që Shqipëria të mbrojë në mënyrë të vazhdueshme mjedisin dhe biodiversitetin e saj. Studimi i PNUD thotë se për këtë arsye kërkohet rritja e ndërgjegjësimit me qëllim harmonizimin e raportit mes njeriut dhe natyrës.

 

Fraksion.com