Gjermania lejon furnizimin e Egjiptit me anije luftarake
Eksportet gjermane të armëve kritikohen gjithnjë. Faktikisht, qeveria gjermane ka thënë se mban qëndrim të rezervuar. Por, lejimi i eksporteve të reja e vë këtë gjë në dyshim.
Me lejen e re qeveria gjermane vazhdon t’i qëndrojë besnike linjës së saj, që lejon furnizimin me armë të vendeve me qeveri autoritare, nëse ato shihen si partnerë rajonalë, shkruan “Spiegel”. Në Egjipt në pushtet ndodhet ish-shefi i ushtrisë, Abdel Fattah al-Sisi i cili qeveris me dorë të fortë dhe godet ashpër opozitarët dhe ata që e kritikojnë.
Pakti i koalicionit i ndalon eksportet e armëve
Me këtë vendim qeveria gjermane ka shkelur paktin e koalicionit. Në të thuhet se Unioni kristiandemokrat, kristiansocial dhe Partia Socialdemokrate janë të detyruara të mos furnizojnë me armë shtetet që marrin pjesë në konfliktin e Jemenit. “Ne nuk do të lejojmë më furnizimin e vendeve, për sa kohë ato marrin direkt pjesë në luftën e Jemenit”, thuhet në tekstin e koalicionit. Egjipti është zyrtarisht pjesë e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, që lufton kundër rebelëve huthi në Jemen.
Që prej vitit 2014, në Jemen sundon lufta që zhvillohet midis rebelëve huthi, që ndihmohen prej Iranit dhe trupat e presidentit Abd Rabbo Mansur Hadi, që përkrahet nga Arabia Saudie dhe shtetet e tjera arabe. Sipas të dhënave të OKB, deri tani janë vrarë 10 mijë vetë, mes të cilëve mijëra civilë.
E majta dhe Të gjelbërit kritikojnë qeverinë
Leja e sapodhënë për eksportin e armatimeve ka ndezur kritika. Politikania e Të majtës, Sevim Dagdelen tha: “Kush dërgon anije luftarake në shtete si Egjipti, që pranojnë shumë lehtë gjenocidin e Jemenit, nuk duhet të flasë në të ardhmen për përgjegjësi ndërkombëtare.” Qeveria gjermane e bën veten “bashkëfajtore për krimet kundër popullsisë civile në Jemen”. Politikani i Të gjelbërve, Jürgen Trittin tha: “Edhe këtë vit qeveria gjermane vazhdon me eksportet e armatimeve, sikur të mos ketë luftë në Jemen dhe Libi”./DW
Fraksion.com