AktualitetBota+Të fundit

Dezerton diplomati koreano-verior në Romë

Pas një takimi me dyer të mbyllura, këtë të enjte, të zyrtarëve koreano-jugorë të kundërzbulimit, një deputet nga Seuli ka informuar reporterët se diplomati më i lartë koreano-verior në Itali “është zhdukur”.

“Mandati i ambasadorit në detyrë, Jo Song Gil, përfundonte në fund të nëntorit të vitit të kaluar. Por, prej fillimit të nëntorit, ai u largua nga selia e Ambasadës së bashku me bashkëshorten”, tha Kim Min-ki për gazetarët.

Informimi i ligjvënësve nga agjencia e spiunazhit erdhi pasi e përditshmja koreano-jugore “JoongAng Ilbo” raportoi se Jo kishte kërkuar azil në një vend të paidentifikuar të Perëndimit, së bashku me familjen e tij.

“Ai kërkoi azil që prej fillimit të muajit të kaluar”, bëri të ditur media në fjalë duke cituar burime diplomatike në Seul. Edhe pse autoritetet italiane thuhet të kenë qenë “në mëdyshje” se çfarë duhet të bënin, zyrtari në fjalë ka shtuar se ata po e “mbrojnë atë në një vendndodhje të sigurtë”.

Diplomati i fundit koreano-verior që ka dezertuar ka qenë Thae Yong Ho, i cili braktisi vendin e tij si zv.ambasador në Londër në vitin 2016.

Jo, 48 vjeç, shërbente si ambasador në detyrë në Romë që prej tetorit të vitit 2017, pasi Italia dëboi ish-ambasadorin e atëhershëm Mun Jong Nam, në shenjë proteste ndaj një testi bërthamor të kryer nga Veriu komunist një muaj më herët, në shkelje të plotë të rezolutave të OKB-së.

Italia rezulton të jetë një prej misioneve diplomatike më të rëndësishme të Penianit, pasi nga aty menaxhohen marrëdhëniet me selinë e Organizatës së OKB-së për Ushqimin dhe Agrikulturën, me seli në Romë, për shkak se Koreja e Veriut vuan vazhdimisht nga mungesa kronike e ushqimit.

Jo “njihet si djali ose dhëndri i një prej zyrtarëve të nivelit më të lartë në regjimin e Koresë së Veriut”, citohet të ketë thënë një ekspert i paidentifikuar koreano-verior nga media “JoongAng”.

 

Fraksion.com