20.9 miliardë lekë buxheti i Ministrisë së Brendshme, investime në infrastrukturë
Buxheti i Ministrisë së Brendshme parashikuar për vitin 2019 është rreth 20.9 miliardë lekë. Për të dytin vit radhazi, ky është buxheti më i madh i akorduar nga Qeveria shqiptare për Ministrinë e Brendshme.
Sipas parashikimeve do të rriten investimet logjistike dhe menaxhuese të Policisë së Shtetit, si dhe do të financohen disa projekteve të rëndësishme.
Nëpërmjet këtij buxheti, synohet mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe garantimi i sigurisë së jetës, shëndetit e pronës së qytetarit, të cilat janë prioritete për veprimtarinë e Policisë së Shtetit.
Një pjesë e këtyre investimeve të parashikuara të realizohen në vitin e ardhshëm janë rritja e kapaciteteve infrastrukturore e teknologjike përmes blerjes së automjete dhe pajisjeve për Policinë e Shtetit, rinovim i armatimeve të Policisë, blerje e pajisjeve teknologjike etj.
Gjithashtu është parashikuar ndërtimi i godinës së Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, përfundimi i rikonstruksionit të godinës së repartit RENEA, përfundimi i punimeve për Pikën e Kalimit Kufitar të Hanit të Hotit, ndërtimi i dhomave të paraburgimit në DVP Tiranë, si dhe rikonstruksioni i godinës së Prefekturës së Tiranës./ata
Fraksion.com