AktualitetPolitikëTë fundit

Protesta e diasporës, Balla: Do kishim shkuar nëse do ishim ftuar

Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla  tha se nëse diaspora do ta kishte ftuar, partia në të cilën ai aderon do të kishte marrë pjesë në protestë. Sipas tij, qeveria i ka një borxh të gjithë shqiptarëve që jetojnë anekënd botës. Ndërkohë, Balla i bëri thirrje opozitës që të votojë në Kuvend reformën zgjedhore, e cila përfshinë edhe çështjen e votimit të diasporës.

“Nëse do ishim ftuar, edhe ne do ishim pjesë e protestës së diasporës. E dimë që Shqipëria i ka një borxh gjithë shqiptarëve që jetojnë në çdo cep të territorit dhe në këto vite janë kontributor i ekonomisë së vendit. Për PS e drejta e votës që jetojnë jashtë territorit ka qenë kushti i vetëm që i kemi kërkuar palës tjetër dhe e kemi bërë edhe këtë kur kemi qenë në opozitë, për të përfshirë në kodin e ri zgjedhor votën e shqiptarëve. Edhe në thirrjen e fundit që bëra ne emër të PS në dy seancat e fundit të Kuvendit, është që të mblidhemi e të votojmë bashkë me opozitës Kodin Zgjedhor që adreson më së miri zgjidhjen. Ndaj në seancë tjetër të mblidhemi dhe të votojmë për këtë reformë. Këta që u merakosën kaq shumë për protestën e diasporës, duhet të bëhen bashkë me ne që të plotësojmë kërkesat e diasporës. Procesi ka qenë i vijueshëm prej kohësh me opozitën.”, tha Balla.