AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Matthew Palmer do të jetë njeriu i SHBA-së që do të ndërmjetësojë dialogun Prishtinë – Beograd

Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer, pritet të jetë personi që do të përfshihet për misionin e pajtimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Siç shkruan gazeta serbe ‘Danas’, Palmer pritet që në negociatat e ardhshme të marrë një rol kyç për zgjidhjen e fazës finale të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, sipas burimeve diplomatike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende nuk kanë vendosur se kush do të jetë negociatori kryesor për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Por rol të veçantë dhe jashtëzakonisht të rëndësishëm pritet të ketë Mathew Palmer i cili është i pranishëm në Ballkanin Perëndimor për më shumë se dy dekada dhe ka një njohuri dhe përvojë në rajon.

Dje në media, po ashtu, janë përmendur tri mënyra të përfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi.

‘Modeli i Kissingerit’, më pak i mundshëm ku pritet të përfshihen sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, dhe këshilltari i Trumpit, John Bolton.

“Modeli i Holbrookut”, që është më shumë i mundshëm, që do të nënkuptonte përfshirjen e një të dërguari të nivelit të lartë për bisedime.

Një formë e tretë e përfshirjes amerikane në dialogun Kosovë-Serbi, diplomatët thonë se është ‘Modeli Tradicional”. Në këtë kontekst, diplomatë me karrierë të gjatë mund të përfshihen në negociata, dhe krejt në fund të procesit mund të bashkohen edhe Presidenti i SHBA-së ose Sekretari i Shtetit, për të finalizuar marrëveshjen, dhe për të përgatitur ceremoninë nënshkrimit. Por një model i tillë shihet si i pa mundur, shkaku që shumë ekspertë të jashtëm të politikës janë larguar, ose Administrata e Trumpit i ka pushuar ata.

Përfshirja e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi është thënë hapur në letrën që Donald Trump u ka dërguar Aleksander Vuçiqit dhe Hashim Thaçit./Express

Fraksion.com