Liria e Shtypit në botë gjatë vitit 2018
Liria e shtypit përballet me kërcënim në rritje në mbarë globin, bazuar në raporte të grupeve që mbikqyrin aktivitetin mediatik si Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve dhe Gazetarët Pa Kufij. Të dyja këto organizata thonë se numri i gazetarëve të vrarë, të rrëmbyer apo të ndaluar gjatë detyrës u rrit në vitin 2018.
Në prill, një operativ i Shtetit Islamik që vepronte në Afganistan, pasi u prezantua si gazetar kreu sulm vetëvrasës duke lënë 26 të vdekur, përfshirë nëntë gazetarë që kishin shkuar në skenën e ngjarjes për të raportuar.
Në qershor, një person i armatosur u fut në redaksinë e një gazete në Meriland dhe hapi zjarr duke vrarë pesë punonjës të stafit të gazetës.
Në tetor, gazetari i Washington Postit, Xhamal Kashogi u vra në konsullatën saudite në Stamboll.
Kërcënimi ndaj gazetarëve, qoftë në formën e rrëmbimeve, vrasjeve apo burgimeve, është në rritje. Vëzhguesit shprehen të alarmuar:
“Gazetarët në vende demokratike po përballen gjithnjë e më shumë me kërcënime; gazetarë në vende ku nuk ka konflikt po paguajnë çmimin më të rëndë për punën e tyre,” thotë Margaux Ewen me Gazetarët pa Kufij.
Sipas organizatës Gazetarët pa Kufij, të paktën 63 gazetarë profesionistë u vranë në 2018. Tre vendet më të rrezikshme për gazetarët ishin Afganistani, Siria dhe Meksika, sipas raportit të organizatës. Përveç vrasjeve ka plot forma të tjera sulmi.
Janë shtuar rastet e burgosjes së punonjësve të shtypit. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve thotë se Kina, Turqia dhe Egjipti janë përgjegjëse për më shumë se gjysmën e numrit të burgosjeve.
Zyrtarët citojnë raste si Mianmarin që dënoi këtë vit dy gazetarë të Reutersit me shtatë vjet burgim.
“Ata zbuluar një krim lufte, një masakër. Prandaj u inskenua një skenar nga policia, duke i akuzuar ata se kishin vjedhur dokumente, megjithëse nuk kishin vjedhur gjë. Pas një procesi të rremë gjyqësor, ata u burgosën. Këta lloj gazetarësh që raportojnë në vendet e tyre mbi aktet e qeverisë së tyre, janë ata që po hasin në probleme,” thotë Robert Mahoney i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.
“Ju dhe plot gazetarë të tjerë po nxisni dhunë duke mos raportuar të vërtetën. Lajmet e rreme po krijojnë dhunë,” u shpreh Presidenti Trump.
Në Shtetet e Bashkuara, në komente të forta kundër medias, presidenti është bërë model për udhëheqës që duan të sulmojnë shtypin, thonë ekspertët.
“Duke i quajtur ‘lajme të rreme’, presidenti nënkupton se nuk janë raportime legjitime; kur thotë se janë në prag të falimentimit, ai nënkupton se nuk janë me rrjedhën e historisë. Kur thotë se janë armiku i popullit, ai do të thotë që ai vetë është populli dhe kritikat ndaj tij janë kritika ndaj popullit,” thotë Tom Rosenstiel me Institutin për Shtypin Amerikan.
Besimi i publikut tek shtypi amerikan ka shënuar nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Disa thonë se kjo rënie dëshmon prirjen globale të keqësimit të lirisë së shtypit. Por ka edhe zhvillime pozitive.
Në Etiopi, ku Kryeministri i ri Abiy Ahmed ka vënë në zbatim reforma demokratike, për herë të parë në 14 vjet nuk ka njoftime për gazetarë të burgosur. Por jo vetëm:
“Kemi parë ndryshime nga regjimet në vende si Ekuadori, Koreja e Jugut dhe Gambia, të cilat kanë rezultuar në disa përmirësime në indeksin e Lirisë së Shtypit,” thotë Margaux Ewen me Gazetarët pa Kufij.
Gazetarët vazhdojnë punën në çdo cep të globit, por raportet e vitit 2018 dëshmojnë se kjo punë po bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe më e rrezikshme.
Fraksion.com