AktualitetTë fundit

Studentët sot protestojnë te Parlamenti

Parlamenti do të mblidhet sot në seancën e parafundit për vitin 2018, ku pritet të diskutohet dekreti i Presidentit Ilir Meta për buxhetin e vitit të ardhshëm, që me shumë gjasa do të rrëzohet nga mazhoranca.

Ndërkohë seanca e sotme shënon edhe thyerjen e bojkotit opozitar dhe rikthimin e PD dhe LSI në Kuvend, ndërsa jashtë dyerve ku “gatuhet” politika do të zhvillohet protesta e radhës e studentëve, e cila hyn sot në ditën e 17-të.

Të rinjtë do të kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave që i kanë parashtruar qeverisë dhe që janë pranuar në parim nga kryeministri Edi Rama, por ky i fundit refuzon t’i plotësojë pa arritur dialogun që pretendon se duhet zhvilluar me studentët.

Ndërkohë që në horizont shihen pushimet, studentët dje kanë shtuar në kërkesat e tyre edhe atë për rrëzimin e ligjit për Arsimin e Lartë dhe kanë theksuar se do të vijojnë protestën edhe pas festave të fundvitit.

Rreth orës 08:45 në të gjitha fakultetet ka nisur grumbullimi i studentëve, ndërsa në orën 10:00 ata do të nisin marshimin e tyre drejt Parlamentit.

“Bojkotimi i mësimit, mbledhjet koordinuese në fakultete do të jenë të përditshme. Dita e nesërme, kur Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në seancë plenare, është vendimtare. Aty do të jenë strukur të gjithë përgjegjësit e katastrofës universitare, të sotmit dhe të djeshmit”, shkruan në Facebook “Lëvizja për Universitetin”.

Protesta para Kuvendit vjen në një kohë kur, kryeministri Edi Rama ka nisur një tur për dialog me studentë dhe pedagogë, duke hasur në kundërshtime të mëdha në Vlorë, ndërsa nxitoi të bënte publik edhe “Paktin për Universitetin” dhe të miratonte “Kartën e Studentit”.

 

Fraksion.com