Ndërpritet seanca për të katërtën herë ; Deputeti që qëlloi Ramën nuk lë Kuvendin
Ndërpritet për të katërtën herë seanca plenare pasi deputeti i PD-së Endri Hasa i përjashtuar nga Byroja për 10 ditë nuk pranon të dalë nga salla.
Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se Byroja vendosi përjashtim me 10 ditë për deputetin Endri Hasa, nisur nga sot. “Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. Zoti Hasa liro sallën. Kryetar i grupit nxirre deputetin përjashta. Hasa liro sallën. Zoti kryetar i grupit kontribuo për të zbatuar vendimin për të liruar sallën dhe për të mos e mbajtur peng deputeti i grupit tënd parlamentar. Procedura do vazhdojë kur deputeti të lirojë sallën. Peng seancën nuk mund ta mbajë asnjë deputet dhe asnjë grup parlamentar. Sipas rregullores. Me sa duket s’keni ardhur për të debatuar sot. Ndërpritet seanca”, tha Ruçi.
Nga ana tjetër ish-kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar Ruçit të nxjerrë jashtë kryeministrin Edi Rama. “Nxirr jashtë Edi Ramën, nxirr jashtë sharësin më të madh”, tha Berisha por Ruçi e ka ‘kërcënuar’ me përjashtim nga seanca dhe atë. Nga ana tjetër Berisha ka këmbëngulur ‘o nxirr sharësin përjashta o s’ka”.
Tensione dhe tone të larta kanë shoqëruar seancën plenare. Kryeministri Edi Rama ka marrë fjalën në seancë por jo për shumë gjatë. Ai ka deklaruar se do ia lërë fjalën kreut të PD-së pasi vetë do vazhdojë dialogun me studentët. Por sapo ka thënë këto fjalë Rama është sulmuar nga deputeti i PD Endri Hasa, i cili ka tentuar ta qëllojë kryeministrin me vezë. Edhe deputeti tjetër i PD Gent Strazimiri është çuar në këmbë por ka ndërhyrë menjëherë garda.
Bujarisht grupi më ka dhënë 40 minuta për të folur, por unë z.kryetar minutat e mia në këtë foltore do t’ia fal liderit të opozitës, i kthyer këtu me mandate të pjekura po jo të djegura. Sot më shumë se asnjëhere askush se përvec Lulzimi, s’mund t’ju tregojë shqiptarëve pse zgjidhja e tyre e vetme është kjo shumicë qeverisëse. Ndërsa unë vetë do të shkoj të vazhdoj dialogun e vështirë me studentët …” ishin fjalët e Ramës, ndërsa deputeti Hasa qëlloi me vezë në drejtim të tij.
Kryeministri ka kërkuar që deputeti të nxirret jashtë. “ Merre nxirre jashtë atë” – tha më tej Rama. Ndërsa kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi e ka përjashtuar dhe e ka ndërprerë seancën. Pas disa minutave pushim, seanca ka rinisur sërish por deputeti i PD Endri Hasa nuk ka pranuar të lërë Kuvendin, çka ka detyruar Ruçin të ndërpresë sërish seancën.
Por edhe pas kësaj, deputeti Hasa nuk ka lëvizur nga salla, ndaj Ruçi ka ndërprerë për të tretën herë seancën dhe ka njoftuar mbledhjen e Byrosë për të vendosur për deputetin e PD. Ndërkaq gazetari Ergys Gjençaj raportoi për “BalkanWeb” se Byroja ka vendosur përjashtimin e deputetit Endri Hasa për 10 ditë nga punimet e Kuvendit.
Më herët kryetari i PD-së Lulzim Basha ka folur me tone të larta dhe tha se opozita është rikthyer për studentë.
Opozita është rikthyer në parlament pas një kohe të gjatë ose për herë të parë në këtë sesion.
Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka mbërritur në Kuvend i shoqëruar nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetë të tjerë të opozitës.
Më herët Ruçi ka folur për kodin zgjedhor dhe komisionin ad hoc.
“Dua të sqaroj dy momente. Momenti i parë lidhur me çështjen që është depozituar nga 8 deputetë, ndryshime dhe përmirësime në kodin zgjedhor. Parlamenti ka ngritur një komision ad hoc. Mandati i tij përfundon gjatë ditëve kur Kuvendi është pushim. Kërkesa e bërë nga zoti Balla nuk gjen mirëkuptimin e opozitës, ky është kod kërkon shumicë të cilësuar, veç traditës historike.
Konferenca e kryetarëve e mbledhur para dy ditësh ka vendosur që për këtë dekret të ketë një kohë të limituar për seancën e parlamentit. 2 orë opozita dhe 2 orë e gjysmë pozita”, tha Ruçi.
Ndërkohë që jashtë parlamentit do të mbahet një protestë. Përveç studentëve, edhe Partia Demokratike ka thirrur qytetarët në protestë, duke përfshirë dhe banorët e Unazës së Re./BW
Fraksion.com