Hakerat depërtojnë komunikimet diplomatike të BE-së
Gazeta “The New York Times” njoftoi të martën në mbrëmje se hakerat kishin depërtuar në komunikimet diplomatike të Bashkimit Evropian për tre vjet, duke arritur të shkarkojnë mijëra dokumenta sensitive.
Në artikull thuhet se ky fakt ishte zbuluar nga kompania e sigurisë kibernetike “Area 1” që i dha rreth 1, 100 dokumenta gazetës.
Sipas gazetës, materiali i komprometuar hedh dritë mbi shqetësimet e Evropës për “një administratë të paparashikueshme të Presidentit Trump”, përfshirë përshtypjen e Bashkimit Evropian se një qëndrim negativ nga zoti Trump ndaj bllokut “kishte krijuar shumë pasiguri”.
Materiali e vë theksin edhe tek sfidat rajonale të bllokut për “t’u përballur me Rusinë dhe Kinën dhe rrezikun se Irani do ta rigjallëronte programin e vet bërthamor” dhe përfshin memorandume të bisedimeve me udhëheqës të Arabisë Saudite, Izraelit dhe vendeve të tjera që janë këmbyer në gjithë Bashkimin Evropian.
Informacioni tek i cili kishin depërtuar hakerat ishte sekret, por me një nivel të ulët klasifikimi në dokumentat e kategorizuar si të kufizuara.
Në një komunikim nga zëvendës shefi i Misionit të Bashkimit Evropian në Uashington, u rekomandohet diplomatëve të tjerë të Bashkimit Evropian që të përpiqen të punojnë direkt me anëtarë të Kongresit, në vend të zotit Trump dhe që të përëiqen të konsolidojnë marrëdhëniet, duke i përshkruar Shtetet e Bashkuara si “partnerin më të rëndësishëm”.
New York Times tha se në një dokument tjetër diplomatët evropianë kishin diskutuar për takimin e nivelit të lartë të Presidentit Trump me Presidentin rus, Vladimir Putin në Helsinki, ku udhëheqësi amerikan mbajtë një qëndrim që binte ndesh me vlerësimin e agjencive amerikane të zbulimit, duke thënë se nuk shihte ndonjë arsye se pse Rusia të kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara, që sollën në pushtet zotin Trump.
Dokumenti e quante takimin si “të suksesshëm (të paktën për Putinin)” dhe përfshinte më tej diskutimin e përpjekjeve të Shtëpisë së Bardhë për të riparuar dëmet.
Një tjetër komunikim i cituar në artikull, kishte të bënte me takimin mes zyrtarëve evropianë dhe Presidentit kinez, Xi Jinping, si edhe një diskutim për hapat e admistratës së Presidentit Trump për të shkallëzuar tarifat ndaj mallrave kineze, ndërsa dy vendet përfshiheshin në një betejp tregëtare.
Në dokument thuhej se “kërkesat e Shteteve të Bashkuara ishin kontradiktore, pa lidhje logjike dhe në fund të fundit do të dëmtonin vetë interesat amerikane”. Po ashtu citonte presidentin Xi të thoshte se vendi i tij “nuk do t’i nështrohej arrogancës” së Shteteve të Bashkuara.
New York Times shkruan se hakerat kishin përdorur metoda të ngjashme me ato të përdorura për një kohë të gjatë nga një njësi elitë e ushtrisë kineze dhe se operacioni përfshinte ndërhyrje në mbi 100 organizata, përfshirë Kombet e Bashkuara dhe një numër ministrish të jashtme dhe të financave.