Rama: Gati t’ju japim një dokument të shkruar, jo tetë, por më shumë
Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me studentët dhe pedagogët e fakultetit të Gjeologji Minierave, theksoi se përmes një dialogu të frytshëm do të ketë dhe një dokument, ku do bihet dakord se si do realizohen dhe kur do realizohen 8 pikat e ngritura nga ana e studentëve.
“Ne jemi gati që pas bisedës t’ju japim një dokument të shkruar, një pakt, të subjektit të kërkesës, një adresim të çështjeve të përgjithshme, jo tetë, por më shumë. Për shembull, ulja e tarifave, ja si do bëhet dhe ja si do jetë. Karta e studentit, ne e kemi që me kohë, që kemi nisur një negociatë me Francën, për të pasur një kartë europiane studentore dhe kemi arritur një marrëveshje me francezët më datë 20 nëntor. Ideja është të japim kartë studentore të vlefshme këtu dhe jashtë. Pra të përfitosh si këtu si jashtë, siç përfitojnë studentët e BE-së, kjo është gjëja që po përpiqemi që ne të bëjmë”, tha Rama.
Kreu qeverisë theksoi se qëllimi i një karte studentore, është që ajo të vlejë dhe jo thjesht që të shërbejë si një copë plastike pa vlerë.
“Ne duam ta bëjmë që të vlejë karta, prandaj ka ca marrëveshje edhe komerciale, me dyqane. Ky është muhabeti, ju thoni ulu e bëje. Prandaj ulemi dhe e shkruajmë këtë dokument, se si do bëhet. Do bëhet me faza, e gjitha për njëherë, se karta ka kosto, ku do prodhohet, jo thjesht plastike si teserë partie, pa vlerë”, tha Rama
Fraksion.com