AktualitetTë fundit

Vetingu: ‘Shkollimi i vajzave në Holandë’ e shkarkon gjyqtarin

KPK ka vendosur shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Fatos Qato. Ai u ballafaqua me dyshimet për deklarime kontradiktore si dhe mungesë burimesh për arredimin e shtëpisë në vlerën 25 mijë euro dhe shkollimin e fëmijëve në të njëjtën shumë. Por në atë përballje, ai e kundërshtoi analizën e KPK-së dhe tha se kishte burime të ligjshme.

Gjyqtar prej më shumë se 15 vitesh në Apelin e Tiranës, Fatos Qato u ballafaqua të premten me dyshimet për deklarime kontradiktore si dhe me shpenzimet e kushtueshme në arredimin e shtëpisë, shkollimin e vajzave në Holandë, një trajtim mjekësor në Gjermani si dhe udhëtimet jashtë shtetit, të verifikuara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përmes sistemit TIMS.

Gjyqtari Qato, i cili u paraqit në seancën dëgjimore i shoqëruar nga avokati Julian Mërtiri iu nënshtrua procesit të vetingut vetëm për kriterin e pasurisë. Trupa gjykuese drejtohej nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Suela Zhegun.

Konkluzionet e hetimit administrativ, të lexuara në sallë nga relatorja Brunilda Bekteshi u fokusuan në kontratën e blerjes së një apartamenti në rrugën “Muhamet Gjollesha” në vitin 1997 si dhe te shpenzimet e padeklaruara familjare të gjyqtarit Qato, të cilat kapin vlerën e 50 mijë eurove.

Apartamenti me sipërfaqe 141 metra katrorë është blerë në vitin 1997, por është regjistruar 20 vjet më vonë, ndërkohë që gjyqtari Qato nuk kishte paraqitur dokumente për pagesat e këstit të tretë dhe të katërt-çka solli debat në seancë dhe e vendosi gjyqtarin Qato në dritën e deklarimeve kontradiktore.

Në anën tjetër, Komisioni ka llogaritur se familja Qato ka shpenzuar 25 mijë euro për arredimin e shtëpisë si dhe 25 mijë euro të tjera për shkollimin e dy vajzave në Holandë dhe tarifën e studimit të djalit në kolegjin turk në Tiranë, duke filluar nga viti 2014.

Sipas relatores Bekteshi, gjyqtari Qato rezulton me mungesë burimesh financiare në vlerën e 8.3 milionë lekëve. Qato dhe avokati i tij Mërtiri e kundërshtuan analizën financiare të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe pretenduan se gjyqtarit nuk i ishin llogaritur të ardhurat e vjehrrit dhe vjehrrës si dhe një pjesë të të ardhurave të realizuara prej dy bashkëshortëve.

“Të ardhurat i kam 45.6 milionë lekë dhe nga këto vetëm 10.5 milionë janë pasuri. Unë kam burime të ligjshme,” tha Qato përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Përveç apartamentit në rrugën “Muhamet Gjollesha” në Tiranë, gjyqtari Fatos Qato zotëron familjarisht një shtëpi banimi 176 metra katrorë, e përfituar me kontratë dhurimi nga prindërit e bashkëshortes, dy automjete “Volkswagen Polo” dhe “Renault” me vlerë totale rreth 6.1 milionë lekësh si dhe një sipërfaqe trualli në Lin të Pogradecit, e blerë për 101 mijë lekë nga bashkëshortja.

Gjithashtu, familja zotëron në llogari rrjedhëse rreth 7 mijë euro.

 

Fraksion.com