E martë, 3 Dhjetor, 2024
Latest:
AktualitetKosovaTë fundit

Tarifa lë nën hije takimin ndërmjet Kosovës dhe BE-së për MSA-në

Kosova dhe Bashkimi Evropian po diskutojnë në Bruksel zbatimin e marrëveshjes së vetme korntraktuale që është nënshkruar deri më tash, atë të Stabilizim Asocimit.

Në Bruksel, po qëndron kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili po realizon takime me Përfaqësuesen e Lartë, Federica Mogherini dhe Komisionarin për Zgjerim, Johannes Hahn.

Këto takime, po zhvillohen në kohën kur Bashkimi Evropian po insiston që Qeveria e Kosovës të shfuqizojë vendimin për tarifën 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Gjatë fundjavës, Bashkimi Evropian ka ritheksuar kërkesën për heqjen e taksës 100 për qind. Në një letër drejtuar kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, Bashkimi Evropian ka kërkuar që të anulohet kjo taksë.

BE e ka konsideruar taksën 100 për qind edhe si shkelje e Marrëveshjes për Tregti të Lirë CEFTA, anëtare e së cilës Kosova është që nga viti 2007.

Tërheqjen e taksës e ka kërkuar edhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas. Gjatë javës së kaluar ai i ka bërë thirrje Kosovës për të anuluar apo të paktën për ta pezulluar zbatimin e taksës prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës ka vënë në mallrat e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.

Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi. Sipas Prishtinës zyrtare, autoritetet e Serbisë në vazhdimësi kanë shkelur Marrëveshjen për Tregti të Lirë, të njohur si CEFTA.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është deklaruar në vazhdimësi se taksa nuk do të hiqet pa njohjen e Kosovës nga Serbia. Ndërsa Serbia, e cila eksporton në Kosovë mallra në vlerë prej mbi 400 milionë euro në vit kërkoi heqjen e taksës si kusht për vazhdimin e dialogut ndërmjet dy shteteve.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se mospajtimet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian nuk janë të mirëseardhura, mirëpo, siç thekson Gashi, BE në rastin e Kosovës nuk po sillet si ndërmjetësues i pavarur.

“Bashkimi Evropian nuk po e kryen rolin e një ndërmjetësuesi të paanshëm në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sepse në vazhdimësi po bën kërkesa për lëshime nga ana e palës kosovare dhe asnjëherë nuk po i bën vërejtje Serbisë sa i përket shkeljeve të vazhdueshme të marrëveshjeve si ajo për bllokimin e marrëveshjes me energji, për bllokimin e marrëveshjes për revitalzimin e urës mbi lumin Ibër, shpërbërjen e strukturave paralele në veri si dhe për aktivizimin e pikave të përbashkëta kufitare”

“Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesja lartë e BE-së Federica Mogherini, janë bërë avokat të Beogradit në Bruksel dhe vazhdimisht kanë kërkesa nga pala e Kosovës që të bëjë lëshime me qëllim që Serbia të përparojë në procesin e integrimit evropian”, thotë Gashi.

Që nga viti 2016, shton Gashi, Kosova nuk ka asnjë përparim në raportet me BE-në, nuk ka liberalizim të vizave, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ka filluar, por ajo nuk zbatohet në tërësi, ndërsa sa i përket iniciativave rajonale siç është Komiteti i Energjisë, Kosova është e bllokuar nga Serbia.

Ai thotë se Kosova nuk do të duhej të tërhiqet në rastin e taksës 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe se sipas tij, Kosova duhet të vendos reciprocitet të plotë ndaj Serbisë.

“Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës, Serbia i lufton me tërë qenien interesat e qytetarëve të Kosovës, Serbia e dëshiron vetëm tregun e Kosovës për përfitime financiare. Përderisa Serbia sillet në raport kolonial ndaj Kosovës, unë mendoj se taksa nuk duhet të hiqet dhe institucionet duhet të vendosin një reciprocitet të plotë për të gjitha fushat edhe në tregti edhe në fushën e njohjes së të gjitha dokumenteve, njohjen e diplomave dhe shpërbërjen e strukturave paralele të cilat e luftojnë shtetin e Kosovës nga brenda”, thotë Gashi.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar masa shtesë reciprociteti ndaj Serbisë. Këto masa edhe pse ende nuk janë definuar sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, është e pritshme që Qeveria si masë reciprociteti ndaj Serbisë të vendos ndalimin e hyrjeve të automjeteve me targa të Serbisë, duke vendosur procedurën e njëjtë që Serbia aplikon për targat e Kosovës.

Një masë tjetër kundër Serbisë paralajmërohet të jetë mosnjohja e dokumenteve të Serbisë, njësoj siç nuk i pranon Serbia dokumentet e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me cilësinë e produkteve dhe dokumente të tjera./REL

 

Fraksion.com