Studentët sfidojnë shiun: Paralajmërojnë grevë urie
Studentët e universiteteve publike janë mbledhur para Kryeministrisë në një protestë kombëtare. Ashtu sikur edhe dje, ata i bënë thirrje qytetarëve shqiptarë që të jenë të pranishëm në këtë protestë paqësore. Rreth orës 09:00 studentët nisën të mblidhen nëpër fakultetet e tyre, ndërsa kanë gjetur forma të veçanta, duke vendosur shirita apo dhe zinxhirë nëpër dyert e këtyre institucioneve, për të pezulluar kështu mësimin.
Me thirrje në kor; ‘plotësoni kërkesat’, ‘I duam tarifat sa Erjon Braçe’ studentët u stacionuan para Kryeministrisë, në pritje që të tjerë t’i bashkohen protestës.
Pavarësisht thirrjeve, ata kanë nënvizuar faktin se kauza e tyre nuk është politike, ndërsa shtojnë se do vazhdojnë protestat deri në plotësimin e 8 kërkesave pa dialog.
Ndonëse partitë politike, si në rastin e LSI, u kanë bërë thirrje të rinjve të tyre që të lënë kartat e anëtarësimit dhe t’i bashkohen protestës, studentët kanë pohuar se tubimi nuk do të marrë ngjyrime politike.
Ditën e sotme po ashtu është paralajmëruar edhe një takim në Rektorat me studentët, ndërsa nuk dihet nëse këta të fundit do të shkojnë.
Ndonëse prej 13 ditësh të rinjtë që vazhdojnë arsimin e lartë në Tiranë, dhe jo vetëm, protestojnë, kryeministri Edi Rama nëpërmjet deklaratave për mediat apo dhe postimeve në rrjetet sociale nuk lëshon pe, duke i bërë të ditur të rinjve se kërkesat e tyre do të zgjidhen vetëm përmes dialogut.
Ora 13: 08 Studentët sfidojnë dhe shiun
Teksa qëndrojnë për disa orë poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama, studentët kanë sfiduar edhe motin e keq. Pavarësisht se kanë nisur reshjet, ata kanë hapur çadrat, ndërsa disa të tjerë qëndrojnë në shi.
Ora 11:54 Hidhen tymuese ne drejtim te Kryeministrise
Në një kohë kur para Kryeministrisë qëndrojnë mijëra studentë dhe qytetarë që i mbështesin, është parë prezenca e tymueseve. Sipas ‘BalkanWeb’ 3 persona të maskuar me shall kanë hedhur mes turmës në drejtim të Kryeministrisë tymuese. Kaq mjaftoi që të reagonin protestuesit, të cilët kanë bërë thirrje që personat që hedhin tymuese të largohen, pasi nuk janë studentë. “Largohu ti aty, o zotëri largohu. Ik që këtej. Ska tymuese këtu”-tha studenti. Ndërkohë një tjetër shtoi: “Kemi ardhur këtu si studentë, kemi kulturë. Nuk protestojmë në mënyrë të turpshme. Nëse është dikush që do të përdorë dhunë në emrin tonë, turp, turp. Kemi ardhur këtu për kërkesa tona, për arsimin. Ne nuk ushtrojmë dhunë”.
Ora 10: 47 Studentët e Mjekësisë dhe Shkencat bllokojnë 9 Katëshet
Studentët e Mjekësisë pasi kanë nisur marshimin, janë takuar me kolegë të tyre të Shkencave të Natyrës, dhe në shenjë proteste kanë bllokuar kryqëzimin tek ‘9 Katëshet’.
Pasi do të qëndrojnë pak minuta në këtë aks, do të t’i drejtohen Kryeministrisë.
Ora 10:20 Studentët e Arkitekturës bllokojnë ’21 Dhjetorin’
Studentët e Arkitekturës dhe Urbanistikës pasi u mblodhën tek fakulteti, nisën marshimin e tyre, ndërsa në shenjë proteste bllokuan kryqëzimin e ‘21 dhjetorit’.
Raportohet se studentët do të qëndrojnë aty për gati 30 minuta. Gjatë qëndrimit në këtë pikë strategjike, për lëvizjen dhe qarkullimit të mjeteve, studentët këndojnë në kor himnin kombëtar.
Ora 10: 00 Ndërsa pritet të nisë protesta e studentëve e cila sot hyn në ditën e 13 të saj, forca të shumta policie kanë rrethuar Kryeministrinë.
Ora: 09:45 Studentët paralajmërojnë grevë urie
Teksa pohojnë se do të ketë përshkallëzim të protestës, studentët kanë paralajmëruar grevë urie. Një prej studentëve të Politeknikut tha për median se nëse sot nuk plotësohen kërkesat e tyre, ata do të ngujohen brenda Politeknikut dhe më pas do të hyjnë në grevë urie.
Ora 09: 43 Studentet: Përshkallëzim? Turma vendos
Nga ambientet e Universitetit Politeknik një prej studenteve tha për median se ditën e sotme do të ketë përshkallëzim të protestës. “Ne kemi vendosur që të mblidhemi tek fakultetet tona dhe të bllokojmë ato. Më pas do të nisemi drejt Kryeministrisë. Nuk e di se çfarë do të ndodhë sot, por di të them se turma vendos. Nuk duhet të ngatërrohen me rininë, ne jemi e ardhmja e këtij vendi. Kërkesat tona janë elementare”, tha studentja.
Ora 09:20: Studentët bllokojnë hyrjet e fakulteteve
Rreth orës 09:00 studentët kanë nisur të mblidhen nëpër fakultetet e tyre, ndërsa kanë gjetur forma të veçanta sipas tyre, duke vendosur shirita apo dhe zinxhirë nëpër dyert e këtyre institucioneve.
Fraksion.com