Studentët ‘kyçin’ universitetet: Mund të hyjmë edhe në grevë urie
Në një kohë kur sot kanë paralajmëruar një protestë masive para Kryeministrisë, studentët e Universitetit të Tiranës kanë gjetur forma të veçanta se si të bllokojnë punën në fakultetet e tyre.
Në disa foto të siguruara shihet se si studentët kanë lidhur me zinxhirë dhe i kanë vënë kyçin dyerve të Fakultetit të Ekonomisë. Kujtojmë se ditën e shtunë studentët e këtij fakulteti kërkuan dorëheqjen e dekanit Dhori Kule.
Studentët e universiteteve publike në vend kanë paralajmëruar sot një protestë masive përpara Kryeministrisë. Ashtu sikur edhe dje, ata i bënë thirrje qytetarëve shqiptarë që të jenë të pranishëm në këtë protestë paqësore. Rreth orës 09:00 studentët nisuën të mblidhen nëpër fakultetet e tyre, ndërsa kanë gjetur forma të veçanta sipas tyre, duke vendosur shirita apo dhe zinxhirë nëpër dyert e këtyre institucioneve.
Pavarësisht thirrjeve, ata kanë nënvizuar faktin se kauza e tyre nuk është politike, ndërsa shtojnë se do vazhdojnë protestat deri në plotësimin e 8 kërkesave pa dialog.
Teksa pohojnë se do të ketë përshkallëzim të protestës, studentët kanë paralajmëruar grevë urie. Një prej studentëve të Politeknikut tha se nëse sot nuk plotësohen kërkesat e tyre, ata do të ngujohen brenda Politeknikut dhe më pas do të hyjnë në grevë urie.
Fraksion.com